Forcat Speciale gjermane u përfshinë në një aksion gjigant si pjesë e hetimit për një komplot të ekstremistëve antivaksina për të vrarë kryeministrin e landit të Saksonisë, Michael Kretschmer.

Bastisjet e disa godinave u kryen kryesisht në Dresden, ku u piketuan individë pjesëtarë të një grupi në rrjetin social Telegram, ku diskutohej në lidhje me masat e vendosura nga Kretschmer dhe qeveria gjermane për të ulur nivelin e infektimeve në atë land dhe gjithë vendin.

Grupi, i quajtur “Dresden Offlinevernetzung”, ose Rrejti “offline” i Dresdenit, u vu në qendër të vëmendjes së autoriteteve pas një hetimi të publikuar javën e kaluar nga televizioni gjerman ZDF. Në atë raportim tregohej se pjesëtarë të grupit të Telegram flisnin për vrasjen e përfaqësuesve të landit të Saksonisë.

Policia tha se bastisjet e banesave ku jetonin disa prej anëtarëve të grupit u bënë pasi në biseda thuhej se ata kishin armë të mprehta dhe harqe me shigjeta.

Saksonia është landi me numrin më të lartë të rasteve të reja ditore me koronavirus në Gjermani, dhe njëkohësisht ka edhe nivelin më të ulët të vaksinimit. Aty janë zhvilluar disa protesta kundër masave kufizuese të vendosura javët e fundit nga autoritetet.

Edhe vetë Kretschmer është përpjekur të mos i kushtojë shumë rëndësi pandemisë, duke e quajtur “histeri” të Covid-19, por më vonë ka kërkuar falje dhe ka mbështetur masat strikte për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Në fjalimin e tij të parë në Bundestag të mërkurën, Kancelari i ri gjerman, Olaf Scholz, u tha deputetëve që “kjo pakicë tepër e vogël ekstremistësh” nuk do të lejohej të impononte vullnetin e saj ndaj shoqërisë.

Qeveria e re federale aktualisht po shqyrton mundësinë e masave edhe më të ashpra kundër shërbimeve të mesazheve që përdoren për të përhapur urrejtje dhe bëjnë thirrje për dhunë. Ministrja e Brendshme Nancy Faeser njoftoi në këtë kontekst veprime më të ashpra kundër rrjetit Telegram, i cili aktualisht nuk mbulohet me rregullat e ligjit për kontrolle në rrjete. Nga shkurti i vitit të ardhshëm, ky ligj parashikon një detyrim të përgjithshëm për operatorët e rrjeteve sociale që të raportojnë në Zyrën Federale të Policisë Kriminale përmbajtje kriminale nga fusha e krimit dhe nxitja e urrejtjes. Aktualisht ka interpretime të ndryshme lidhur me këto rregulla ligjore.

Kryeministri i Bavarisë Markus Söder (CSU) bëri thirrje për veprime të ashpra kundër rrjetit Telegram – deri në bllokimin e ofertave të këtij rrjeti në Gjermani. “Së pari duhet t’i bëhet një kërkesë e qartë Telegramit për të eliminuar urrejtjen dhe nxitjet dhe kjo duhet të rregullohet me ligj”, tha Söder. “Nëse ky shërbim prapë nuk pranon të ndihmojë, atëherë ka edhe mënyra për të bllokuar punën e tij”, theksoi ai. “Liria është një e mirë qendrore, por nuk ka kuptim të kemi liri të pakufizuar për armiqtë e lirisë”.