Nga Gjergj Erebara

 

Një numër ekspertësh, kryetarësh sindikatash dhe punëtorësh u mblodhën të enjten në një takim në Qendrën për të Drejtat në Punë për të diskutuar mbi rezultatet e një studimi të kryer nga qendra mbi shkallën e përdorimit të kontratave kolektive të punës në ekonominë shqiptare.

CLR e bazoi këtë studim duke marrë në shqyrtim katër kontrata kolektive kryesore në Shqipëri, përkatësisht kontratën kolektive të lidhur midis Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe MASR; kontratën kolektive në shëndetësi të lidhur midis Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; kontratën e lidhur midis “Albpetrol” dhe Sindikatës së Naftëtarëve; si edhe kontratën e lidhur midis punëdhënësit “Fital” dhe Federatës së Sindikatave të tekstilit, konfeksioneve, lëkurë dhe shërbimeve artizanale të Shqipërisë.

Por, me sa rezulton nga vëzhgimet në terren, këto kontrata nuk janë aq efikase dhe frytdhënëse në praktikë sa duken në teori.

“Ka humbur besimi në sindikata. Por duhet bërë një punë ndërgjegjësuese edhe me punëmarrësit. Ne bëjmë vazhdimisht pyetësorë me punëmarrësit për t’u kërkuar atyre të raportojnë sugjerimet apo pakënaqesitë në lidhje me kontratat e tyre, por një pjesë e mirë e tyre duket se i neglizhojnë”, u shpreh Hiqmete Daja, kryetare e Sindikatës së Tipografëve Shqiptarë dhe njëkohësisht dhe një ndër krijueset e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.

“Edhe Inspektoriati Shtetëror i Punës duhet të kryejë rolin e tij. ISHP-ja kur shkon të bëjë kontrolle nëpër kompanitë e punëdhënësve u kërkon vetëm kontratat individuale, nuk kërkon asnjëherë kontratat kolektive”, shtoi znj.Daja.

“As në rastet kur ndodhin aksidente në punë ISHP-ja nuk i kërkon kontratat kolektive”, tha ajo e zhgënjyer, duke theksuar se si sindikaliste e vjetër asaj i pëlqen që njerëzit të gjejnë të drejtën e tyre dhe mbështetjen në sindikata.

E pranishme në takim ishte edhe një punonjëse fasonerie në Tiranë, e cila u shpreh e revoltuar në lidhje me shkeljen e të drejtave të saj dhe presionin për të heshtur të imponuar prej punëdhënësit.

“Në punën time nuk kemi asnjë kontratë kolektive. Shumica prej nesh nuk kanë as kontratë individuale”, ironizoi ajo.

“Unë kam marrë që tani paralajmerim për pushim nga puna, nëse vazhdoj të ngre zërin për këto çështje”, tha punonjësja e fasonerisë.

Edhe Renato Muça, kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Postë-Telekomit Shqiptar foli mbi peshën e sensibilizimit të punëmarrësve për të ngritur zërin në mënyrë kolektive në mënyrë që mos t’i tremben presioneve të punëdhënësit.

“Sa më të sensibilizuar dhe sa më të bashkuar të jenë punonjësit në kërkimin e të drejtave të tyre, aq më i vogël do të jetë edhe risku i presionit nga punëdhënësi. Nuk kemi punonjës të sensibilizuar. Edhe kur ne bëjmë fushata sensibilizimi, pjesa më e madhe e tyre janë shumë pak të interesuar”, tha ai mbi punonjësit e sektorit që mbulon sindikata e tij.

Të njëjten gjë theksoi disa herë gjatë prezantimit edhe Eneida Dervishi Sema mbi faktin se kërkohen politika ndërgjegjesimi të punëmarrësve.

“Ndërgjegjësimi i punëmarrësve bëhet nëpërmjet bashkëpunimit të qëndrave të punës siç është CLR, me përfaqësuesit e sindikatave. Sa më të arsimuar të jenë punëmarrësit aq më i lehtë është ndërgjegjësimi i tyre”, tha udhëheqësja e studimit mbi indikatorët e kontraktimit kolektiv në Shqipëri.

Por shpeshherë kërkesat e sindikatave dhe të punëmarrësve kanë rënë në vesh të shurdhër dhe nuk gjejnë zgjidhje.

Sotiraq Kristo, Koordinatori i Sindikatës së Naftëtarëve të Kuçovës, u shpreh se kontrata kolektive e tyre as nuk denjohej të respektohej prej punëdhënësve.

“Kontrata jonë kolektive është aktive deri në vitin 2022. Kushtet formale në letër janë të gjitha të specifikuara, por në zbatim punëdhënësi nuk i respekton e as nuk i intereson të negociojë. Çfarë mund të bëjmë neve si sindikatë në këtë rast”, u ankua ai, duke mos e parë rrugën gjyqësore si  zgjidhje për shkak të procedurave afatgjata dhe shpenzimeve që kërkohen.

“Nëse punëmarrësit nuk japin propozime për kushte të veçanta kjo kontratë duhet të quhet e parregullt nga pikëpamja ligjore”, theksoi znj.Eneida Dervishi Sema mbi rëndësinë e bashkëpunimit midis palëve.

Gjithashtu, një tjetër pjesmarrës, kryetari i Sindikatave të Ushqimit, z.Bilbil Kasmi, prentendoi se duhet të ketë një frymë bashkëpunimi midis sindikatave të ndryshme të të njëjtit sektor, të cilat sa vijnë e po shtohen në numër, por jo në efikasitet.

“Po kemi copëzim të sindikatave, kur në fakt duhet të kemi bashkim të tyre”, përfundoi z.Kasmi.

Rezultatet e këtij studimi të kryer prej CLR shërbejnë si sirene alarmi për sindikatat dhe stafin e tyre për të marrë hapa konkretë në përmirësimin e dialogut social midis punëdhënësve dhe punëmarrësve, si edhe për të shmangur formalitetin e kontratave kolektive dhe përsëritjen e tyre si një kopje e akteve nënligjore të punës.

“Ne i studiojmë çështjet në terren, nuk mbetemi vetëm tek kontratat në letër. Mundohemi të kuptpojmë sa e ndiejnë punonjësit që po zbatohen këto kontrata nga kompanitë”, u shpreh drejtori i Qëndrës për të Drejtat në Punë, z.Edison Hoxha, duke theksuar se është e rëndësishme të shihet sesa efektive janë realisht këto kontrata për punëmarrësit që ata përfaqësojnë në sektorë të ndryshëm profesional.

“Kontrata kolektive nuk është e detyrueshme, por mbetet një burim i rëndësishëm profesional dhe një forcë e madhe ligjore, pasi në profesione të veçanta punëmarrësit kanë të drejtë të përfitojnë kushte më të favorshme pikërisht nëpërmjet negocimit të sindikatave” tha znj.Eneida Dervishi Sema, udhëheqëse e këtij studimi dhe njëkohësisht Prof.As.Dr në Fakultetin e Drejtësisë.

Kontraktimi kolektiv në Shqipëri ka një historik relativisht të ri, prej pothuajse tre dekadash. Kontrata kolektive e punës ka për qellim të rregullojë kushtet e punës të punëmarrësve të cilët janë të lirë të zgjedhin sindikatën e tyre përfaqësuese.