Është ndarë nga jeta politikani i njohur shqiptar Bashkim Fino. Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe deputeti socialist u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare. Ai ishte prekur nga COVID-19 prej disa ditësh dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar. Një ditë më parë ai humbi nënën e tij.

Bashkim Fino ka një karrierë të gjatë politike dhe të hershme në Partinë Socialiste.

Prej vitit 1997 e në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore. Nga vitit 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit. Ndërsa në periudhën 2004, Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.

Bashkim Fino në Prill të vitit 2016 u zgjodh Sekretar për Organizimin Administrativ në Partinë Socialiste, me 260 vota.

Fino ka mbajtur gjithashtu dhe disa poste ministrore. Fino prej vitesh ishte deputet i Parlamentit një figurë dhe zë i spikatur.

Rama: Aktivitetet tona elektorale ndalen në nderim të vëllait tonë të dashur

Kryeministri Edi Rama reagoi në Facebook pas lajmit të ndarjes nga jeta të politikanit Bashkim Fino. Kreu i qeverisë njoftoi se aktivitetet e Partisë Socialiste sot do të ndalen në nderim e kujtim të tij.

“E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë. Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur”, shkruan kryeministri në Facebook.