Në seancën e sotme, në Kuvend, ku pritet të miratohet në tërësi buxheti për vitin, 2021, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ka bërë tashmë pagesën e parë për vaksinën “Covax”.

“Sot, qeveria shqiptare, brenda afatit të përcaktuar që skadon mesnatën e ditës së sotme, ka paguar edhe kaparin për Covax. Pra, kemi hyrë në rrjetin e shteteve që kemi prenotuar aksesin në vaksinën që pritet të dalë në muajt që vijnë. Jemi në komunikim të përditshëm me BE për të garantuar qartësi dhe siguri për aksesin në vaksinimin e popullsisë, duke pasur parasysh që vaksina do të dalë, por sasitë nuk do të jenë menjëherë të atilla sa do të mbulojnë popullsinë e Europës. Të gjitha vendet kanë një strategji dhe ne kemi tonën, për të nisur me vaksinimin falas, fillimisht kategoritë më vulnerabël dhe më pas për ta shtrirë vaksinimin falas në të gjithë popullatën. Ajo që është e rëndësishme, është që ne sot jemi gati për të pasur akses dhe po punojmë për të ndërtuar aleancat e duhura, në mënyrë që të mos mbetemi mbrapa të tjerëve. Jam optimist që BE do të jetë gjithpërfshirës në strategjinë e vetë. Është shumë e rëndësishme që të gjithë në këto kushte të marrin sa më shumë informacion të bazuar në fakte, sa më shumë informacion nga autoritete”.

Më tej, Rama kërkoi nga opozita që të mos dezinformojë, pasi, sipas tij, nuk ka kolaps në sistem.

“Edhe kur bie një sëmundje në të gjithë botën, nuk gjen arsye për t’u bashkuar me shumicën dhe për të luajtur një rol njerëzor. Është vërtetë kriminale t’u thuash njerëzve që spitalet janë në kolaps, pasi nuk janë”.