Klodian Tomorri

Çfarë mund të ketë më keq për biznesin se sa një krizë e rëndë ekonomike me tkurrje të kërkesës? Përgjigja është e thjeshtë. Një krizë e rëndë ekonomike e shoqëruar me paqartësi ligjore. Domethënë një situatë ku biznesi ekzekutohet dy herë. Një herë nga rënia e shitjeve dhe një herë tjetër nga vetë qeveria me flirtet e saj korruptive. Kjo është ajo që rrezikon të ndodhë në Shqipëri.

Një javë më parë Gjykata Administrative e Apelit ka marrë një vendim, i cili praktikisht e fut procesin e fiskalizimit në një ngërç pa krye duke rrezikuar të zhysë të gjitha bizneset në nja kaos të paprecedentë dhe shumë të kushtueshëm ligjor. Por cila është historia?

Ligji i ri i fiskalizimit i detyron bizneset në Shqipëri që duke filluar nga 1 shtatori i këtij viti të mos shesin më me kasa, por vetëm me softet e reja kompjuterike të fiskalizimit, pra me faturë elektronike. Për shitjet biznes me biznes, afati është edhe më parë, data 1 korrik, ndërsa për shitjet nga biznesi tek qeveria fatura elektronike ka hyrë në fuqi që nga 1 janari.

Gjatë kësaj kohe administrata tatimore ka licencuar me dhjetra kompani, që ofrojnë softet e reja kompjuterike, të cilat dokumentojnë transaksionet në përputhje me ligjin e fiskalizimit. Për pasojë një pjesë e madhe e bizneseve janë pajisur sakaq me këto programe duke zgjedhur kompaninë që ja u shet me çmimin më të ulët dhe cilësinë më të mirë. Për këtë pjesë procesi është në rregull. Treg i lirë me konkurrencë. Por në tregun e karburanteve, aty ku llokma ishte më e madhe, futi duart korrupsioni.

Në dhjetor të vitit të kaluar, qeveria nxorri një vendim, i cili përcakton një sistem tjetër për fiskalizimin e karburanteve. Sipas vendimit, kompanitë e karburanteve nuk mund ta blinin softin e fiskalizimit në treg të lirë si bizneset e tjera, por do ta blinin atë nga tre shoqëri të posaçme, të cilat do të licencoheshin nga një komision i përbashkët mes Tatimeve dhe AKSH-it.

Por ky vendim i qeverisë u padit në gjykatën administrative. Paditësi është Noa Control, kompania e cila ka me koncesion kontrollin e pompave të karburanteve për sasinë. Arsyeja e padisë lidhet me kulisa korrupsioni.

Përpara se të dilte vendimi i qeverisë për liçencimin e tre shoqërive, që do të ofronin softet e reja për fiskalizimin e karburanteve, NOA tentoi ta merrte vetë edhe këtë shërbim si monopol. Madje MCN disponon një projektvendim të lobuar në Ministrinë e Financave, i cili veç kontrollit të pompave i jepte shoqërisë Noa Control edhe monopolin e fiskalizimit të karburanteve.

Por dikush në Ministrinë e Financave ose në qeveri rezistoi. Pas një lufte të fortë disa mujore vendimi për ta bërë fiskalizimin e karburanteve monopol nuk kaloi dhe në fund u miratua varianti me tre kompani. Madje në një pikë të vendimit u përjashtuan shprehimisht kompanitë që kanë koncesione në fushën e karburanteve që të marrin licencën e fiskalizimit.

Menjëherë pasi doli vendimi i qeverisë nisi lufta. Fillimisht Partia Demokratike e kallëzoi vendimin në SPAK, në një nga paditë më të çuditshme të bëra ndonjëherë nga një forcë politike. Arsyet e padisë ishin të mjegullta, por nën zë flitej se opozita ishte vënë në lëvizje nga palë të treta, që kishin interesa okulte në këtë proces. Në këtë rast, palët janë evidente. Kallëzimi i Partisë Demokratike në SPAK mbeti aty, ndërkohë që nga ana tjetër NOA e paditi vendimin e qeverisë në gjykatën administrative. Dhe Gjykata vendosi të detyrojë qeverinë të pezullojë liçencimin e tre kompanive, deri sa të mbarojë gjykimi i çështjes në themel duke e futur gjithë reformën e fiskalizimit në ngërç.

Tashmë është e sigurtë se afatet e ligjit të fiskalizimit kanë rënë duke i zhytur të gjitha bizneset në një kaos të paprecedentë, por edhe të kushtueshëm ligjor. Qeveria ka dy rrugë se si të dalë nga ngërçi. E para është të mbledhë Parlamentin për të votuar shtyrjen e procesit. Por nëse kjo ndodh atëherë fiskalizimi do të shtyhet për të gjitha bizneset, jo vetëm për karburantet sepse ligji nuk bën diferencë sektorësh. Rruga e dytë është që të lejojë kompanitë e karburanteve të pajisen me softe nga dhjetra shoqëritë e licencuara që ofrojnë sot softe për bizneset e tjera.

Cilado qoftë zgjidhja, morali është i qartë. Koncesionet dhe lobimet e kanë kapur shtetin prej fyti. Ndërsa ligjet ad personam dhe korrupsioni po e gërryejnë Shqipërinë deri në palcë. Sot për shkak të këtyre, qeveria i ka hedhur të gjitha bizneset në krizën e pasigurisë ligjore, ndërsa reformën e fiskalizimit, që aq shumë e ka trumpetuar, rrezikon ta çojë në kosh.