Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg me afat 45 ditë për tri infermieret dhe sanitaren e Sanatoriumit që bashkëpunuan me Tire Alldërvishin, duke iu marrë para pacientëve me Covid dhe familjarëve të tyre.

Konkretisht, arrest në burg 45 ditë u caktua për infermieret Mira Bushi, Sheqerije Koçi, Sidorela Çela dhe për sanitaren Rukije Hoxha.

Gjatë seancës gjyqësore, prokurori i çështjes ka deklaruar se infermieret dhe sanitarja kanë fshirë mesazhet që kishin me Tire Alldërvishin pasi mësuan për arrestimin e kësaj të fundit. Skema u zbulua vetëm nga celulari i Tires, ku u gjetën mesazhet me grupin që ajo bashkëpunonte për të marrë ryshfet nga pacientët me Covid apo familjarët e tyre në këmbim të shërbimit.

Gjykata i kërkoi Prokurorisë që t’i vendosë në dispozicion më shumë prova për këtë skemë korrupsioni.

Tri infermieret dhe sanitarja kanë bashkëpunuar me sanitaren Tire Alldërvishi që u denoncua nga emisionit Stop pasi i zhvati 8 milionë Lekë të vjetra vajzës së një pacienteje me Covid, që më pas ndërroi jetë nga sëmundja.