Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e Tiranës Ariana Gumbardhi Caco. Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga Pamela Qirko, Roland Ilia dhe Elteda Çiftja.

Gjyqtarja ka qenë pjesë e trupës gjykuese për çështjen e 21 janarit.

KPK e shkarkoi Cacon nga problemet e saj me të treja kriteret e Vetting-ut, pasuri, profesion dhe integritet.

Ariana Caco e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punon prej më shumë se dy dekadash në Gjykatën e Tiranës.

Problemet me pasurinë:

KPK konstaton pamundësi financiare për ndërtimin e shtesave në dy banesa, bashkëngjitur apartamentit në Tiranë me sipërfaqe 68 m2 dhe 70 m2 në Vlorë.

Nisur nga mungesa e dokumentacionit për këto dy investime, Komisioni i ka përllogaritur shpenzimet sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave, EKB, nga kanë rezultuar vlera që nuk janë mbuluar nga të ardhurat e subjektit dhe të personave të lidhur.

Komisioni e ka ndarë në dy pjesë analizën financiare, ku për periudhën 1993-2002 ka rezultuar pamundësi në shumën 7 milionë lekë, ndërsa për vitet 2003-2016 është konstatuar balancë negative në vlerën 36 milionë lekë.

KPK gjeti pamjaftueshmëri edhe për blerjen e një automjeti tip Benz në vitin 2006, kundrejt shumës 350 mijë lekë.