Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takimi me banorët e Memaliajt tha se demokratët do të ngrihen në protesta të fuqishme dhe një tjetër arsye është lirimi nga burgu i ish-deputetit Alqi Bllako.

“Dje e liruan deputetin pasi ua kërciti dhëmbët Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Bllako, që me paratë tuaj i kishte lidhur një rrogë 10-12 milionë lekë të atit. A do e tolerojmë ne këtë? A mund ta pranojmë ne këtë rritje të çmimit të naftës? Jo, sepse është e tëra vjedhje.  Pse Kosova dhe Mali i Zi ta kenë 900 lekë më lirë? Kjo, sepse Rama ka gjetur naftën, energjinë, si një shpatë mbi kokën e shqiptarëve. Ne do ngrihemi dhe do ngrihemi në protesta të fuqishme”, u shpreh Berisha.

Ai nënvizoi më tej, se qytetarët në këto zgjedhje do kenë mundësinë që të zgjedhin vetëm kandidatët për bashkitë.

“Unë ndjehem i kënaqur sot para jush, sepse ne hyjmë në këtë fushatë elektorale siç kërkuat ju, ashtu siç premtuam gjatë takimeve me qytetarët në mbarë Shqipërinë. Ju vetë do zgjidhni përfaqësuesit tuaj, siç zgjodhët kryetarin e partisë, do zgjidhni kandidatin për bashkinë, do zgjidhni këshilltarët. Ju i keni dhënë fund në këtë aspekt pushtetit të kryetarit. Ne duam që ai që votoni të ndjehet i detyruar ndaj jush, jo ndaj kryetarit. Ai duhet ta dijë se pa mbështetjen tuaj, nuk ka vend në karrigen që merr. Ndaj sjellim në këto zgjedhje ndryshimin e madh demokratik, sjellim primaret ku do votojnë jo vetëm anëtarët e PD, por edhe simpatizantët e PD-së”, u shpreh Berisha.

“Simpatizantët do regjistrohen në nivel seksioni. Do plotësojnë një fishë. Të shkojnë te seksioni, të plotësojnë formularin, të japin të dhënat dhe janë të mirëpritur që të votojnë kandidatin për kryetar bashkie. Në këtë mënyrë, ne konkretizojmë një ndryshim të madh”, tha më tej kryedemokrati.