Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra prokurorin e Tiranës, Bledar Maksuti, pas një procesi të pazakontë që u fokusua tek të ardhurat dhe asetet e krijuara nga babai i tij i ndjerë.

Kjo situatë u evidentua edhe nga trupa gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit si dhe nga vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova në seancën dëgjimore të zhvilluar më 9 prill.

“Më duket sikur kemi bërë vetingun e babait tuaj. Më vjen keq, se ai nuk është më”, tha në fund të seancës dëgjimore relatorja Genta Tafa Bungo.

Komisioni konstatoi pasaktësi në deklarime dhe mungesë burimesh për pasurinë e krijuar nga babai i Maksutit, ish-prokuror, noter dhe avokat. Gjatë seancës, prokurori Bledar Maksuti tha se kishte jetuar gjithmonë me prindërit, ndërsa këmbënguli se deklarimet e tij të pasurisë ishin të vërteta dhe të sinqerta.

Maksuti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Bledar Maksuti e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe e ushtron funksionin e prokurorit prej vitit 2008.

Bledar Maksuti është prokurori që udhëhoqi hetimet që çuan në zbardhjen e vrasjes së Behar Sofisë pak javë më parë në kryeqytet.

Atentati ndaj Behar Sofia ndodhi mëngjesin e 25 shkurtit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. 66-vjeçari me origjinë nga Lapardhaja e Beratit dhe banues prej vitesh në Tiranë u qëllua dy herë me pistoletë me silenciator, teksa ecte në trotuar buzë Lanës përballë “Piramidës”.