“Mos abuzoni me besimin e qytetarëve shqiptarë dhe mos shkelni ligjin”! Ky ishte apeli i kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit për ministrat dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë. Në intervistën e parë të tij që kur u zgjodh në këtë post, Arben Shehu tha se fokusi i KLSH do të jetë tek fondet publike, pasi këtu konstatohen edhe problemet më të mëdha me shkeljet.

Arben Shehu: “Një ministër është një qytetar shqiptar që i është dhënë një besim i madh nga populli. Duhet të respektojë me rregullsinë më të madhe dhe kujdesin më të madh ligjin dhe vetëm ligjin. Ne do jemi të kujdesshëm dhe do ndjekim me kujdes maksimal punën e gjithë institucioneve që janë objekt i punës sonë të auditimit dhe konstatimet që janë të panegociueshme. Në rast se do kemi shkelje ligji, për më tepër të ligjit penal, ato do jenë objekt i kallëzimeve penale, i punës sonë në bashkëpunim me organin e prokurorisë”.

Gazetari i Report Tv e pyteti nëse ‘Tenderi’ vazhdon të jetë fenomeni më shqetësues që prek paratë e taksapaguesve: Apo ka edhe abuzime me vullnet, ka vjedhje të parasë publike?

Kreu i KLSH: “Patjetër që ka, në jemi të fokusuar në mënyrë të veçante te prokurorimet publike, për shkak edhe të numrit më të lartë të problematikave të konstatuara dhe mendoj se ne vazhdimësi ky do jetë fokusi i komunikimit me median, pra pasqyrimin e këtyre konstatimeve”.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit bën apel për qytetarët dhe institucionet të denoncojnë të gjitha rastet që konstatohen shkelje nga punonjës të administratës së KLSH.

Institucionet që janë objekt i kontrollit nga KLSH, apo qytetarë që kanë konstatuar abuzime nga punonjës të KLSH janë të lutur t’i adresojnë pranë institucionit për të frenuar çdo rast të shkeljes së ligjit dhe çuarjen përpara drejtësisë të çdo individi që abuzon me detyrën.

KLSH garanton ruajtjen e anonimatit dhe ndjekjen e çështjes deri në fund duke bashkëpunuar me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit për rastet e dyshuara si shkelje e ligjit penal nga punonjës të KLSH.