Ugur Sahin, drejtori ekzekutiv i ndërmarrjes gjermane BioNTech, e cila të hënën e kaluar njoftoi se ka zhvilluar së bashku me Pfizer një vaksinë kundër koronavirusit me efektivitet 90%, tha për “The Guardian” se kjo vaksinë do të mund të ndalojë pandeminë Covid-19.

Ai tregoi edhe periudhën se kur do t’i kthehemi jetës normale: “Nga mesi i vitit të ardhshëm. Por, para se të ndodhë kjo, na pret një dimër i vështirë. Edhe sikur të nisë shpërndarja e vaksinës në dhjetor, situata nuk do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore”.

Shkencëtari shpjegoi edhe se si do të funksionojë vaksina e Pfizer: “Vaksina pengon që Covid-19 të ketë akses në qelizat tona. Por, edhe nëse hyn në qeliza, ato e eliminojnë virusin. Kemi hyrë shumë thellë në sistemin imunitar për të perfeksionuar mbrojtjen e vaksinës”.

Në lidhje me kritikat e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili akuzoi se lajmi për vaksinën u dha vetëm pas zgjedhjeve në SHBA, Sahin theksoi: “Hetimi farmaceutik nuk duhet politizuar kurrë. Është çështje integriteti, nuk do të kishte qenë etike që të mbanim të fshehtë informacionin. E rëndësishme është që po merremi me vaksinën dhe nuk bëjmë politikë”.

Sahin shprehet se të pasurit nuk duhet të kapërcejnë radhën dhe përmes pagesës ta bëjnë përpara atyre që kanë më shumë nevojë. Firma e drejtuar prej tij, BioNtech po përpiqet të prodhojë një vaksinë që të jetë japë efektet e parashikuara me një dozë të reduktuar dhe të prodhohet në një shkallë të gjerë, por siç shprehet ai, vaksinimi masiv mund të mos jetë gati deri në Dimrin e vitit tjetër.

“Qëllimi është të prodhojmë mbi 300 milionë doza vaksine deri Prillin e vitit tjetër. Kjo do të na e bëjë të mundur të kemi ndikim në uljen e infektimeve. Por vaksinimi masiv mund të nisë në periudhën Vjeshtë – Dimër të vitit tjetër”.

E përditshmja Nju Jork Post shkruan se Sahin dhe bashkëshortja e tij Ozlem Tyreçi, të dy me origjinë turke por që jetojnë në Gjermani, bëjnë një jetë të thjeshtë pavarësisht vlera e firmës së tyre, tashmë ka arritur në 26 miliardë dollarë. Ata kanë një apartament modest dhe nuk kanë as automjete personale.