“WHITTE COLLAR CRIME” – KRIMI I KOLLAREVE TË BARDHA

 

Edvin Sutherland kriminologu amerikan qysh më 1943 e ka shtruar këtë çështje lidhur me krimin ekonomik financiar të kryer nga ndërmarrjet e mëdha dhe që ai i etiketoi në mënyrë figurative. Duke theksuar dallimin e madh që ekziston midis përmasave të këtyre praktikave me kostot shoqërore të larta dhe mungesës së kuptimit shoqëror për rolin e tyre, që gjeneron thjesht saksione minimale, përballë këtij mosndëshkimi, apo mos dënimi, ai shtronte pyetjen: “Krimi me jaka të bardha a është krim?”. Megjithë praninë e dispozitave penale për të ndëshkuar veprimtari që cënojnë konkurencën, mashtrimin mbi mallrat, mashtrimin në bursë dhe dhunimin e së drejtës së shoqërive, butësia e reagimit shoqëror ndaj tyre shënonte, sipas tij, një mohim penal sistematik. Ai qe kësisoj ndër të parët që thekson se deri në ç’pikë vlerësimi shoqëror i akteve të paligjshme që kryejnë mbajtësit e pushtetit shoqëror është përherë problematik. Nëse biem dakort përgjithësisht për të parë në të disfuksionime, vetëm në raste të veçanta do t’i lexonim ato si cënim të vlerave dhe të interesave themelore të një shoqërie. Dhe çdo kulturë politike ka prodhuar mënyrën e vet eufemizuese, madje fshehëse të këtyre praktikave. Shenjtërimi i pushtetit në mënyrën franceze që përligj të gjitha teprimet apo përligjësimi fuksionalist i korrupsionit në Shtetet e Bashkuara përbëjnë forma nga më karakteristiket, shkruan Edivin Sutherland.
Një temë tjetër është proçesi i vlerësimit, apo faktorët që lejojnë apo pengojnë të përkufizohet një gjendje e caktuar me fjalën korrupsion. Në çfarë kushtesh një grilë e tillë leximore mund të jetë e zbatueshme dhe cilat janë përbërëset e saj. Për këtë, do të paraqesim dy dosje, të krahasueshme në mjaft drejtime, ku tregjet e armatimit kanë nxitur praktika të paktën të parregullta. Shembull për të nxjerrë në pah faktorët kryesorë që shpjegojnë përse një dosje është arritur të trajtohet shoqërisht me termin “korrupsion”( dosja Agatha Dassult), ndërsa një tjetër i ka shpëtuar këtij cilësimi megjithë fodullëkun që paraqet ( dosja Luchaire). Partia socialiste belge e lidhur me grupin Dassault Industries. Një filiale belge akuzohej se kishte derdhur, më 1989-n, 8.5 milionë franga te partia socialiste flamande nëpërmjet kontosh zvicerane. Nëse në Francë, çështja Dassult është një lajm i dorës së parë lidhur me një akuzë personale për korrupsion që i bëhet drejtuesit të një prej grupeve më të mëdha të shoqërive, në Belgjikë , ajo në vetvete nuk përbën veçse një shtojcë të procesit për një pjesë të elitës politike. Pas paraqitjes së fakteve, Serge Dassault, megjithë mohimet e përgjegjësisë së tij të drejtpërdrejtë u njoh fajtor për korrupsion dhe u dënua në dhjetor 1998. Më parë u vu për nështrim me një mandat arresti ndërkombëtar në maj 1996. Një skandal brenda skandalit lind në qershor 1989 kur prokurori i ngarkuar me çështjen Luchaire urdhëron ndalim të përgjithshëm të gjykimit, gjë që u kuptua nga shumëkush si mohim i drejtësisë apo si shembull karikatural i një drejtësie nën urdhra, ndoshta i parë gjithashtu si padije e pengesave të ngritura nga qeveria dhe ministria e Mbrojtjes për veprimet gjyqësore. Të zbuluara nëpërmjet ankete shtypi në mars 1986, eksportimet e paligjshme që bënte shoqëria Luchaire me Iranin nxjerrin në pah të çarat e thella të kontrollit publik si dhe bashkëfajësisë aktive të drejtuesve politikë e administrativë. Dosja u vu gjithashtu në qendër të lojrave dhe kompromiseve politike të bashkëqeverisjes së parë. Mirëpo politizimi do të mbetej i kufizuar dhe megjithë faktet e nxjerra në dritë nga hetimet administrative e gjyqësore, këto nuk do të përfshihen në skandal, por do të reduktohen thjesht në një seri problemesh anësore tepër të qartësuara, gjë që do çonte prokurorin të mbyllte dosjen, duke bërë të marrin frymë të lehtësuar drejtuesit politikë, të majtë e të djathtë, përzier në të njëjtën bashkëfajësi.
Përballë situatave të këtij lloji, shtrohen dy çështje kryesore. Cilat janë veçoritë që duhet të ketë një ngjarje për të shkaktuar ballafaqimin publik dhe për t’i shtyrë autoritetet politike, administrative, gjyqësore dhe mediet të marrin në shqyrtim dosjet? Përse në rastin Dassult, vlerisimi korrupsion u arrit dhe u mbajt me sukses, kurse e kundërta ndodhi me çështjen Luchaire? Nuk duhet kërkuar në thelbin e fakteve ajo çka i dallon: nuk ka, në njërin rast”korrupsion të vërtetuar” dhe në tjetrin “thjesht një dyshim”. Gjithë kjo rrugë është e mbushur me pengesa ku kryesisht hasen bllokime njohëse dhe pushteti.
U detyrova të përdor në këtë shkrim një pasazh nga libri me autor Pierre Lascoume me titull “KORRUPSIONI”, përkthyer mjeshtërisht nga frëngjishtja zotin Fotaq Andrea.

 

Askush të mos e mendojë që korrupsioni lindi këtu në Shqipëri dhe ne jemi popull i veçantë apo delja e zezë në rajonë, këto fenomene janë bashkëudhëtare kudo në botën moderne. Çështja shtrohet se sa mësojmë ne nga bota, ta marrim shtruar së pari si i seleksionojmë faktet e fakteve të mbajtura si domethënëse dhe balancimi i tyre, duke u njohur një rëndësi të caktuar (në fuksion të rregullave, të viktimave që bën, të shkallës së dëmtimit); i dyti, padija nëpërmjet përcaktimit të lidhjeve shkakësore, ku është angazhuar përgjegjësia e autorëve të përfolur, i treti, shpërblesa nëpërmjet thirrjes për një formë ndëshkimi shoqëror të përligjur. Ne shqiptarët nuk jemi veç botës për të konkuruar me vlera tona intelektuale ndaj dhe një shoqëri që vetëm përtyp lajme me fakte që bëjnë muuuu dhe një drejtësi jo fuksionale nuk përjashton dhe vetë stadin intelektual dhe integritetin moral të çdo pjestari të trupës gjyqësore në Shqipëri.
Përgatitja e një brezi të ri edhe sikur në hënë të shkojë për trajnime, ka nevojë për referenca të modeleve pozitive në sistemin tonë dhe shembujt nuk mungojnë. Politika ka lojën e saj, por edhe sistemi i drejtësisë nuk mund të qëndrojë jashtë interesave të publikes, ndryshe fillojmë ciklin 32-vjeçar të tranzicionit me termin “ne ecim përpara nga reforma në reformë”, pa vënë në shina një nga shtyllat e shoqërisë, ose do të vij puna që do të na venë ndërkombëtarët “dy këmbët me një këpucë”, e do të jenë ata edhe gjykatësi edhe prokurori.

_____


Përgatiti Kastriot KOTONI