Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se qeveria shqiptare po shikon mundësinë për të ndihmuar Kosovën në përballimin e krizës energjitike.

Në një postim në mediat sociale, Rama shkruan se ministrja e Energjisë po vlerëson çdo mundësi që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia.

“Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjitike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës, që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve!

Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjitike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi!”, shkruan Rama.

Një ditë më parë, dhjetëra qytetarë të Kosovës protestuan në Prishtinë kundër ndërprerjes së energjisë elektrike. Kërkesat e tyre ishin tre: furnizim i rregullt me energji elektrike, shkarkimi i ministres së ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe që kompania për shpërndarjen e energjisë t’i kthehet shtetit.

Fillimisht qytetarët protestuan pranë kompanisë së shpërndarjes, KEDS, ku qëlluan ndërtesën me llamba. Në pankarta shkruhej: “Ngrohja nuk është komoditet” dhe “KEDS t’i kthehet Kosovës”. Më pas protestuesit shkuan dhe pranë godinës së qeverisë. Protestuesit thanë se ndihen të diskriminuar pasi paguajnë energjinë dhe kanë ndërprerje në furnizim, ndërsa serbët në veri nuk paguajnë dhe subvencionohen nga shteti.