Nga Ilir Mborja

Pas vendimit të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar për dënimin me tre vite e katër muaj burg të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, reagimi i eprorit të tij në krye të qeverisë z. Rama, sado i sikletshëm të jetë për të, mbetet i domosdoshëm. Kryeministri është i detyruar të japë një reagim konkret, ku të përfshihet dukshëm edhe një ndjesë publike para zgjedhësve shqiptarë për këtë aksident të rëndë që ndodhi me një nga anëtarët e rëndësishëm të kabinetit qeverisës të përzgjedhur prej tij. Nëse ka mendim tjetër, fjala vjen mendon njëlloj siç shprehet i dënuari apo avokati i tij z. Haxhia, se për rastin në fjalë ka ndodhur padrejtësi…, edhe këtë duhet ta thotë. Heshtja është e papranueshme. Edhe anashkalimi apo shpërfillja siç bëri kur, pas vendimit të GJKKO-së që dënoi me tre vite e katër muaj burg ish-ministrin e tij, gjeti rast të falënderojë publikisht qytetarët që kanë plotësuar pyetjet që adresoi qeveria për Këshillimin Kombëtar, nuk dukej të ishte shumë korrekte.

Kryeministri Edi Rama këtë radhë duhet të thotë patjetër diçka, por assesi siç u shpreh në rastin e ndalimit nga SPAK-u të ish-ministrit tij Lefter Koka.

Përgjigjja që dha se, nuk bëhet avokat i askujt dhe, cilido qoftë i prangosuri, të përballet vetë me drejtësinë, s’duhej dhënë atëherë. As tani për rastin e Saimir Tahirit, ai arsyetim nuk i shkon një kryeministri serioz e të ndershëm. Kuptimi që fitohet nga ky lloj komunikimi në stilin e “larjes së duarve”, në ligjërimin bisedor mund të përkthehet me fjalët që populli vendos në gojën e një kapoje:

“ – Di të vjedhësh?

– Di.

– Di të fshehësh?

– Jo, nuk di.” …

Nënkuptimi që nuk thuhet është i qartë: “Ti që nuk di të fshehësh, mos vidh! Ndërsa ti që di të fshehësh, apo gjen një mënyrë për të fshirë gjurmët, vazhdo vidh!

Kryeministri Edi Rama, këtë herë, duhet të thotë patjetër diçka, qoftë për të korrigjuar keqkuptimin e krijuar me përgjigjen e papranueshme që përmendëm më lart kur e pyetën për rastin e Lefter Kokës.