Nga Blerina SHALARI
Etja për të bukurën, po sidomos për madhështinë e saj, më ka mbajtur pezull qysh se kuptova se kam një ndërgjegje të prirur ndaj artit. Fjalën e kam dashur, adhuruar mund të thuash, me të drejtë, pasi ishte, është dhe do të jetë syri im i cili di të shohë të padukurën, e madje edhe atë që s’është fare. Qysh fëmijë, renda vrullshëm në botën madhështore të teatrit, kur radio Tirana më mbante peng që sa fillonte dita, e deri sa mbaronte. Në mëngjes jepej përralla, në drekë, dramatizimi për të rritur, dhe përralla, dhe dramatizimi i fëmijëve, në darkë përralla tjetër, në mbrëmje vonë, teatri i të rriturve në mikrofon. Dhjetra dhe qindra vepra:
“Tre shokët”, “Të parët dhe të fundit”, “Kodrat si elefantë të bardhë”, “Histori dashurie”, “Alkimisti”, “I huaji”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Andromaka”, “Otello”, “Skënderbeu”, “Romeo dhe Zhulieta”, “Kopshti i qershive”, “Borxhlliu”, “”ëndra e një nate vere”, “Borgjezi fisnik”, e duke vazhduar tek dramatizimet e fëmijëve si:
“Ishulli i koraleve”, “Gjahtarët e gorrillave”, “Dy vjet pushime”, njëzetë mijë lega nën det”, Tom Soieri, Hek Fini, “Lufta për zjarrin”, e plot të panumërta që nuk i nxe dot një libër i tërë, më kanë zbukuruar jetën, dhe më kanë bërë që ndoshta t’i avitem këtij ishulli mrekullish sadopak. është tepër të përshkruash ato emocione, kur dëgjoje përjetimet e artistëve tanë më të vyer, teksa s’i kursenin as lotët as ngashërimat në një orvatje që s’kishte të ndalur, valle artistike natyrisht, që këdo do ta ftonte plot zell në një epidemi ngjethëse artesh, ku fjala dhe muzika bëheshin një trup i cili të mbulonte edhe shpirtin ndërsa e dëgjoje. Teatri i madh, edhe pse i dëgjuar, ishte, është dhe duhet të jetë një llavë e pashuar për kulturën, për edukimin, për njeriun në fund të fundit. Po me skenën çfarë ka ndodhur?
Ka tash një vit që falë informacioneve të shpejta ndjek me endje titujt e shfaqjeve kudo nëpër Shqipëri. Jam e kaqardhur, ndërsa dëgjoj, lexoj tituj deri edhe stigmatizues disa herë, për shfaqje që thjeshtë nga titulli nuk ia vlejnë të analizohen. Unë si teatër-dashëse, kam nevojë, e ndjej, shpirti ma kërkon teatrin e madh, teatrin e vërtetë, atë klasikun, ku ti ulesh, dëgjon, vuan, dhe del prej aty i çliruar nga makthet e përditshme, pasi e ke gjetur vehten të gjykuar dhe të rrëfyer paskajshmërisht në teatrin e madh. Sa magji ka në teatrin e madh?
Fjala në qendër, xhestet e kombinuara me të, përjetime të mëdha, kapërcim shekujsh, kor, tragjedi, vuajtje, lotë, aktorë që “vdesin” tek personazhi, muzikë që bëhet aktor, e pra, këto janë athoset e teatrit të madh, për të cilin më ka marrë malli shumë shumë, dhe që të cilin nuk e di ende se kur do ta shoh përsëri. U mundova t’i afrohem sadopak me Homerin, ia arrita disi, me modesti e them, por vuajtja për të ishte sa një det. Përjetim gjatë të shkruarit, përjetim gjatë punës, gati shkatërrim gjatë vënies në skenë, e gëzimi më pas, janë të gjitha efekte që t’i shkakton teatri i madh, ai për të cilin, e përsëris, kam etje.
Pse e dua vallë teatrin e madh?
është pikërisht ky konglomerat arti, ky libër i lexuar në dy orë, që më harron këtej pari, ku të them të drejtën, pa artin nuk rrihet, e as nuk mendohet që të rrihet. është ky tempull çmenduror, që të bën edhe artist, edhe njeri, edhe magjistar, edhe djall, edhe ti sheh vehten në pasqyrë tek ai, dhe që në atë çast të mbramë, fillon ta kërkosh ndryshimin.
Teatri i madh, dije e madhe, profetike, gjygj për gjithë ligësitë, dënim për to, spastrim i shfajësimeve, kungues i shpirtrave të vetmuar, familje për ta, i dashur për atë që s’bëhet dot dy. E pra, s’është thirrje, por është klithmë, se teatri i madh duhet t’i kthehet këtij vendi. Tradita është, artistët janë, përse të mos jetë? është e pamundur që këto shfaqëzat gjoja integrale, me përzierje të ricikluara, të kthehen në një “rruspë” për shpirtrat tanë, aq të përvëluar për art të pastër, për teatër të madh.
Që në momentin që të mëdhenjtë e artit të madh konsiderohen të tejkaluar?…., mos, e mos…. Këtu duhet ulëritur, se vetëm teatri i madh e shpjegon dekadencën tonë, që e jetojmë pa protestë. Tetë vjeç u gjenda në Greqi, dhe fatkeqësisht për mua nuk arrita të ndjek teatrin e madh që jepej në Akropol, në Athinë, megjithatë e kam në vesh atë magji, me këmbana, me kor, me vajtoica, me recitime, të cilat i dëgjoja dhe i ndjeja nga kati i shtatë i spitalit ku ndenja përnjë kohë të shkurtër. Jeta e krijuesit është lule e vetmuar, por ajo lulëzon më tepër nëse shkon dhe i ndrin në sallë teatrit të madh. Gjithë institucionet e teatrit shqiptar, të kthehen tek teatri i madh, tek teatri i vërtetë, tek ai që ndoshta do të na bëjë ta quajmë vehten se paskemi jetuar në një epokë. Ngjalleni teatrin e madh!