Në prag të festës së Kurban Bajramit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë. Përmes një videomesazhi, kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu theksoi se Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame që përcjell mesazhin e paqes dhe solidaritetit. Sipas tij, Kurbani është pajtim, ndërsa apeloi për falje me njëri-tjetrin.

Mesazhi i KMSH

Bismilahi-Rrahamini-Rrahim

Me emër të Zotit Mëshiruesit-Mëshirëbëres.

Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të botëve.

Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi Muhamedin (a.s.)

Të dashur qytetarë, nesër, më datë 20 korrik 2021, është festa e Kurban Bajramit.

Allahu i Madhërishëm në suren Kevther në Kuran thotë:

“Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe ther kurban për hir të Zotit tënd!”

Ndërsa në suren En’nam na kujton:

“Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve!”

Të dashur besimtarë, edhe pak orë na ndajnë nga festa.

Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame.

Në këtë ditë ne përkujtojmë sakrificën e Ibrahimit (a.s), durimin e pa shembullt të Ismailit (a.s.), atëkohë vetëm një fëmijë, dhe dhembshurinë e nënës heroike Haxhires.

Kurbani na dëshmon se, sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punë të pëlqyeshme te Zoti, nëse duam të përfitojmë mëshirën dhe faljen e të Gjithëmëshirshmit absolut, Zotit të gjithësisë.

“As gjaku e as mishi i kurbaneve tuaja nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin devotshmëria juaj”, thotë Zoti (xh.sh.) në Kuranin Famëlartë.

Ky Bajram na jep mesazhin që, për të arritur pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit të Madhërishëm, është i nevojshëm sinqeriteti dhe devotshmëria.

Therni Kurbanin nesër, kushdo që ka mundësi, dhe ndajeni atë me njerëzit në nevojë. Kjo vërtetë është një punë e pëlqyeshme të Zoti.

Kurbani është mesazh paqe, përhapeni atë.

Kurbani është gëzim për fëmijët, gëzojini ata me dhurata.

Kurbani është solidaritet, jini solidarë në bajram e në çdo ditë.

Kurbani është pajtim, pajtohuni dhe faleni njëri-tjetrin.

E lusim Zotin të na i pranojë kurbanet, adhurimin dhe lutjet tona.

E lusim Zotin për paqe e prosperitet në vendin tonë dhe mbarë njerëzimin.

Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja!

Amin!