Kush është Gledis Nano, “njeriu i FBI-së” në Tiranë që pritet të drejtojë Policinë e Shtetit

Ardi Veliu ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit të Policisë së Shtetit. Përmes një letre dërguar kryeministrit Edi Rama, të cilën ky i fundit e bëri publike në rrjetet sociale, Veliu tha se kishte vendosur të mos kërkonte një mandat të dytë, por t’i përkushtohej më shumë familjes.

Në media, emri më i përfolur për të pasuar Veliun në këtë detyrë është Gledis Nano, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Anti-Terrorizmit në Policinë e Shtetit.

Kush është Gledis Nano

Nano ka qenë një prej zyrtarëve të Policisë së Shtetit më të përfshirë në çështjen e riatdhesimit të familjarëve të luftëtarëve shqiptarë të ISIS, të mbetur në Siri.

Me një përvojë prej 17 vitesh në Policinë e Shtetit, 40-vjeçari me origjinë nga Skrapari do të ngjitet në majë të piramidës së uniformave blu. Që prej kohës kur u emërua në krye të Antiterrorit, kredencialet e Gledis Nanos janë rritur.

Ai mori në verë të këtij viti edhe një vlerësim prej amerikanëve, me të cilët ka pasur një bashkëpunim të gjatë dhe të ngushtë gjatë ushtrimit të detyrës. Ambasada amerikane në Tiranë publikoi fotot e dekorimit shoqëruar me vlerësimin për Gledis Nanon, për merita të veçanta dhe ndihmën e dhënë për stafin e sigurisë së ambasadës. Me këtë rast pati edhe një ceremoni për Gledis Nanon. Për shkak të detyrës ai ka pasur një rol aktiv edhe në riatdhesimin e shqiptarëve prej kampeve në Siri. Ka udhëtuar bashkë me Ramën dhe ministrat e Brendshëm, Lleshaj e Çuçi, në Liban. Në krye të Antiterrorit ai përfundon kështu një cikël gati 5-vjeçar si drejtues edhe i operacioneve të tjera delikate. Kujtojmë këtu për shembull dëbimin e diplomatëve iranianë apo rusë nga vendi jonë.

Dosja e famshme e “Imamëve” është një tjetër çështje e hetuar prej tij. Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Quantico Virginia.