Presidenti i zgjedhur Joe Biden fiton 20 votat elektorale të shtetit të Pensilvanisë duke siguruar 273 vota elektorale nga 270 që duheshin.

Presidenti i zgjedhur kryeson me mbi 4 milionë vota popullore.

Por kush është Joe Biden?

Një figurë e hershme e skenës politike në Uashington, Biden ka kredenciale të forta sa i përket politikës së jashtme.

Në vitin 1973 ai ishte senatori më i ri që u fut në kongresin e SHBA. Sot ai është një nga politikanët më me përvojë të SHBA. Juristi Biden kërkoi të kandidonte për president që në vitin 2008, por i mungoi që në zgjedhjet preliminare mbështetja te partia e tij dhe ai u shkëput herët nga gara, ndërsa më pas Barack Obama e emëroi si zëvendësin e tij.

Senator me 6 mandate nga shteti i Delauerit, Biden u zgjodh për herë të parë në vitin 1972. Ai garoi për herë të parë për president në vitin 1988, por u tërhoq pasi pranoi se kishte kopjuar një fjalimi nga lideri i atëhershëm i laburistëve britanikë, Neil Kinnock.

Në hapat e para të karrierës, ai u rendit përkrah komunitetit me ngjyrë që kundërshtonte urdhrin e gjykatës që autobusi i shkollave të ishte vetëm për nxënësit e bardhë.

Ndërkohë, si kryetar i komisionit gjyqësor të Senatit në vitin 1991, ai mbikëqyri vendimet e Gjykatës Supreme.

Biden ka qenë gjithashtu një avokat i spikatur i draftit antikrim të vitit 1994, që sipas një pjese të së majtës, inkurajoi dënimet e gjata dhe burgimet në masë.

Mbështetës i faktorit shqiptar

Si senator, ai ka qenë një zë i theksuar në Kongresin amerikan kundër agresionit të Sllobodan Millosheviçit. Ai mbrojti interesat e Kosovës atëherë kur vëmendja e gjithë botës ishte tjetërkund.

Gjithashtu, Biden ishte njeriu që prezantoi rezolutën 1999, që autorizonte presidentin Clinton të kryente operacione ushtarake ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë. Ai mobilizoi mbështetjen për fushatën ajrore të NATO-s dhe për përgjigjen humanitare ndaj spastrimit etnik të kosovarëve nga trupat e Millosheviçit.

Biden ka qenë gjithashtu njeriu që mbështeti dhe mbrojti pavarësinë e Republikës së Kosovës, që sipas tij është e pakthyeshme dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ai gjithashtu ka kërkuar drejtësi për krimet e luftës, përfshirë llogaridhënien për personat e zhdukur.

Biden ka deklaruar edhe fjalët “…do të vazhdoj me çdo ind të trupit tim, për ta mbajtur Amerikën të përfshirë me trupa, që të jenë të gatshme të qëllojnë dhe të vrasin, për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë në Ballkan…”.

Ndërkohë, gjatë presidencës së Barack Obama ai u dallua për strategjitë e administratës së atëhershme për Irakun dhe Afganistanin, me qëllim uljen e dhunës dhe vendosjes së stabilitetit politik.

Jeta personale

Bideni është rritur në Pensilvani, në një familje katolike me shumë fëmijë dhe për shumë vite ka qenë prind beqar. Ai është baba i katër fëmijëve, dy prej të cilëve fatkeqësisht kanë vdekur. Joe kishte tre fëmijë me gruan e tij të parë Neilia: Beau, Hunter dhe Naomi. Teksa Biden ishte senator në 1972, gruaja e tij, Neilia dhe vajza 1-vjeçare, Naomi, vdiqën në një aksident automobilistik, ndërsa dy djemtë e tij, ishin në makinë, por mbijetuan.

Disa vjet më vonë, Joe u takua me gruan e tij aktuale Jill Biden. Ata u martuan në qershor të vitit 1977 në kishën e Kombeve të Bashkuara në New York City, dhe sollën në jetë vajzën, Ashley, në 1981.

Djali i tij, Beau, shërbeu si Prokurori i 44-të i Përgjithshëm i Delaware dhe një Major në Gardën Kombëtare të Ushtrisë Delaware. Beau u diagnostikua me kancer në tru në 2013 dhe vdiq tragjikisht dy vjet më vonë 30 maj 2015 në moshën 46-vjeçare. Djali i dytë i Joe Hunter është një avokat dhe këshilltar investimesh.