Naftali Bennett, i cili mund të bëhet kryeministri i ri i Izraelit është një mbështetës i fortë i kolonive hebreje në territorin e pushtuar.

Duke cituar arsye sigurie, Bennett ka thënë se krijimi i një shteti palestinez do të ishte vetëvrasje për Izraelin.

“Nuk ka dy narrativa. Nuk ka dy të vërteta. Ka vetëm një të vërtetë dhe ajo është shumë e thjeshtë. Izraeli i madh i përket popullit hebre”.

Djalë i emigrantëve amerikanë, Bennett, 49 vjeç i përket një gjenerate më të re se kryeministri 71-vjeçar Netanyahu, por ashtu si ai ka lidhje të forta me Amerikën, dhe është një ish-komando.

Milioner në fushën e high-tech, Bennett ka pasur një marrëdhënie të gjatë dhe shpesh të trazuar me Netanyahu-n dhe ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe Arsimit në disa qeveri të drejtuar prej tij.

Ish-lider i lëvizjes kryesore pro kolonive, Yesha, Bennett e ka bërë aneksimin e territorit të pushtuar në 1967 një pjesë kryesore të platformës politike.

Por si kreu i një qeverie ndryshimi, siç është quajtur, ku do të përfshihen parti të majta dhe të qendrës, e ndërsa do t’i duhet edhe mbështetja e deputetëve arabë, vijueshmëria e politikës së aneksimit duket e pamundur.

Bennett është më liberal se ish-aleatët në çështje të tilla, si të drejtat e homoseksualëve dhe marrëdhënia mes fesë dhe shtetit.