Gjykata Kushtetuese ka vendosur, në Lezhë do të ngrihet një kamp për emigrantët që nisen drejt Italisë, e kapen në Mesdhe.

Vendimi është marrë gjatë seancës së sotme, por duket se trupa gjykuese ishte e ndarë në vendimin e marrë. 5 prej tyre kanë votuar pro sjelljes së emigranatëve në Shqipëri, ndërsa 4 kundër ndërtimit të kampit nga Italia.

Por maxhoranca ka fituar dhe vendimi tashmë është marrë, duke i hapur qeverisë ‘dritën jeshile’ që të procedojë më tej me vendin fqinj.

Çështja u dërgua në Kushtetuese nga 30 deputetë të opozitës, të cilët e konsideruan marrëveshjen si shkelje të Kushtetutës, por edhe të ligjit ndërkombëtar.

Që pas firmosjes së marrëveshjes në Romë nëntorin e vitit të shkuar, ekspertë vendas dhe të huaj u shprehën skeptikë për një marrëveshje e cila i jep të drejtën e plotë Italisë për menaxhimin e krizës së emigrantëve, duke shfrytëzuar një territor të huaj të një shteti fqinj si Shqipëria, që nuk është vend anëtar i Bashkimit Europian.

Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor.

Sipas dokumentit, Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera.

Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër.

Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre.

Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë.