Kuvendi i Shqipërisë ka votuar pro shkarkimit të presidentit Ilir Meta, duke miratuar raportin e Komisionit Hetimor mbi “shkeljet e rënda kushtetuese” për të cilat ai akuzohet.

104 deputetë kanë qenë pro shkarkimit, 7 kanë qenë kundër dhe 3 abstenim.

Në këtë mënyrë, Parlamenti për herë të parë në 30 vjet shkarkoi nga detyra kreun e shtetit ende pa mbaruar mandatin e tij.

Vendimi i Kuvendit do të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkohen minimalisht 5 vota që ai të miratohet dhe që përfundimisht Ilir Meta të largohet nga detyra e kreut të shtetit.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të gjetjeve të hetimit, kreu i komisionit hetimor, Alket Hyseni tha se presidenti me veprimtarinë e tij ka kryer disa shkelje të rënda të kushtetuese, duke cenuar rëndë parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit dhe është sjellë arbitrarisht me pushtetin. Gjithashtu ai tha se kreu i shtetit ka ndërhyrë në mënyrë të njëanshme në fushatë elektorale dhe ka nxitur akte dhune.

Në fjalën e tij në Kuvend gjatë seancës, kryeministri Edi Rama tha se kreu i shtetit ka tradhtuar misionin e presidentit të Shqipërisë, ka poshtëruar Kushtetutën dhe ka turpëruar Shqipërinë e shqiptarët në marrëdhëniet me SHBA. Sipas tij, Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën.

“I ka humbur plotësisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht për t’u kthyer në binarët e arsyes morale e ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën duke u bërë gazi i botës. Parlamenti duhet të ushtrojë vullnetin e 90% për ta shkarkuar. Keqardhje për mikun e djeshëm Ilir, por meta i sotshëm sot nuk mund të jetë statusin e lartë që i ka dhënë parlamenti. Fjalët për të si president kanë mbaruar. Tani të flasë parlamenti me votë”, tha Rama.