Kryeministri Edi Rama ishte në një takim me deputetët e rinj të Partisë Socialiste, fitues të zgjedhjeve të 25 prillit, ku i uroi ata për fitoren, sipas tij domethënëse, të cilën duhet ta kthejnë me punë dhe përkushtim.

Nga pallati i Brigadave, Rama tha se nuk kanë rëndësi votat individuale të deputetëve aq sa ka rëndësi fitorja e Partisë Socialiste dhe realizimi i objektivave të çdo skuadre në nivel qarku.

“Gara e brendshme në listat e hapura, e cila ndodhte për herë të parë, ka sjellë patjetër të mirat e saj por ka sjellë dhe disa dëme anësore të cilat duhen analizuar me kujdes për të nxjerrë mësimet e duhura mbi këtë sistem të ri zgjedhor për ndeshjen tjetër pas 4 vjetësh,” – u shpreh Rama.

Sipas tij numri i lartë i votave të pavlefshme bëri të pamundur marrjen e katër mandateve në Dibër, Shkodër, Tiranë dhe Elbasan ku qytetarët kanë zgjedhur numrin 12 të PS-së por kanë gabuar në shënjimin e numrit të preferencës së kandidatit.