Ambasada e Ukrainës në Shqipëri u ka bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen me legjionin e huaj të krijuar për të luftuar kundër rusëve.

Në një njoftim në faqen e ambasadës në Facebook, thuhet “Vullnetarët që dëshirojnë të bashkohen me Legjionin Ndërkombëtar i Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, ju lutem dërgoni një në e-mail në adresën e mëposhtme: DobrotvorUA@gmail.com”.

Legjioni u krijua pas nisjes së pushtimit rus dhe thirrjes së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky për të huajt që dëshironin t’i bashkohen luftës së vendit të tij për t’u mbrojtur.

Danimarka u bë shteti i parë europian që deklaroi se do të lejojë të shtetasit e saj të luftojnë në Ukrainë, ndërsa në mediat ndërkombëtare ka raportime për grupime të ndryshme, kryesisht ish-ushtarakësh, që kanë vendosur të ndihmojnë Ukrainën në këtë luftë.

Por thirrja bie ndesh me ligjet e Shqipërisë, pasi Kodi Penal parashikon dënim deri në 8 vjet burg për personat që përfshihen në “një konflikt të armatosur që zhvillohet në territorin e një shteti të huaj”.

Ligji parashikon dënim edhe për thirrjet për pjesëmarrje në konflikt të huaj ushtarak në këtë rast për Ambasadën e Ukrainës në Tiranë si dhe personat e tjerë që mund të organizojnë pjesëmarrjen e qytetarëve shqiptarë në luftë.