Atletja shqiptare, Luiza Gega, pak ditë më parë, u shpall kampione Europë në kampionatin Europian në Mynih, teksa fitoi medalje të artë. Për këtë arsye, në nderim të kampiones kuqezi, është organizuar një ceremoni pritje.

Në fjalën e saj, Gega u shpreh se me këtë arritje, i tregoi Europës se edhe një vend i vogël si Shqipëria mund t’ia dalë të arrijë sukses. Ajo tha se ka vite që sakrifikon për të arritur deri në këtë moment historik.

“Ndoshta jam lodhur shumë për të qenë këtu ku jam sot, kam vite që sakrifikoj, jo me detyrim, por dëshirë. Zgjodha të përfaqësoj ngjyrat e flamurit tim kuqezi, të mundohesha çdo ditë t’i përfaqësoja denjësisht. Dhe sot jam më krenare se kurrë për ato ngjyra, kjo është arsyeja pse derdha lot në finish sepse mu kthye gjithçka mbrapsht. I tregova Europës se dhe ne mund t’ia dalim dhe pse ndoshta vend i vogël dhe gjëra për të përmirësuar. Sigurisht dua të falënderoj sepse gjërat kanë ndryshuar për sportin, të gjithë kanë bërë që të vijë kjo medalje t’i vijë atletikës sepse i kishte munguar. E vetme nuk do ia kisha dalë kurrë pa mbështetjen e trajnerit sepse ka pasur më shumë besim te unë se unë te vetja dhe për këtë e falënderoj pa masë”.

Gega kujtoi edhe të kaluarën, ku tha se për shkak të mbështetjes së vogël financiare, shpesh ka menduar edhe tërheqjen, por shtoi se tani është krenare për këtë që ka arritur dhe tani synon vendin e katërt në botë.

“Edhe pa e marrë këtë medalje, viti im ka qenë i suksesshëm. Në vijim pres të jem e katërta në botë. Familja është më krenarë se kurrë për mua. Nuk do doja që kisha zgjedhur asgjë tjetër, përveç kësaj që po bëj tani. Jam shumë e lumtur që përfaqësoj vendin tim, pavarësisht sakrificave të mëdha ndër vite. Këtë sport e kam bërë me shumë pak mbështetje financiare, ku disa herë kam menduar edhe tërheqjen, por jam krenare më shumë se kurrë për këtë arritje dhe që gjithçka po më shpërblehet tani”.