Kampionia e Europës në garën 3 mijë metra me pengesa në Kampionatin Europian, Luiza Gega është pritur me ceremoni të veçantë në Kryeministri.

E shoqëruar nga trajneri i saj dhe ministrja e Sportit Evis Kushi, Luiza Gegës dhe trajnerit të saj i ishte vënë në dispozicion një makinë retro kabriolet me të cilën parakaloi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nën duartrokitjet dhe brohorimat e qytetarëve, të cilët ishin mbledhur për respekt të saj.

Gjatë pritjes para ambienteve të Kryeministrisë, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama i ka puthur duart sportistes Luiza Gega. Ky moment ka emocionuar Luiza Gegën e cila ka falënderuar kryeministrin shqiptar.

Më pas, kryeministri Rama i dorëzoi Luiza Gegës Kordonin e madh me Yllin për Mirënjohje Publike.