19 ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Fushata elektorale është në kulmin e saj. Ndryshe nga zgjedhjet e tjera, kandidatët nuk po i përcjellin mesazhet e tyre përmes mitingjeve masive, por përmes takimeve në grupime më të vogla dhe kjo për të respektuar rregullat anti-covid.

Një prej tyre që ka tërhequr mjaft vëmendje është kandidatja e PS për deputete, inxhinierja e njohur Luljeta Bozo dhe sidomos deklarata mbi komunizmin në Shqipëri. Inxhinierja thotë se nuk është anëtare e asnjë partie politike dhe kandidon si profesioniste e lirë.

“Unë e kam thënë qartë qëndrimin tim, nuk jam penduar për atë deklaratë pasi reagimet ishin keqkuptime. Pse nuk e morën të gjithë frazë. Ai sistem ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta, siç ka çdo sistem. Morën vetëm pjesë e të mirave, pse nuk thanë dhe pjesën e të këqijave që ua thash, që janë shumë por unë tre kisha klasifikuar. Që ishin mbyllja hermetike, që nuk të lejon të zhvillohesh, lufta e pamend e klasave ku për një fjalë ishte neni për agjitacion dhe propagandë që të fuste brenda dhe nuk të fuste vetëm ty por e hante e gjithë familja, domethënë ishte një tmerr i vërtetë. Dhe e fundit që iu dha derma sektorit më jetik që ishte në Shqipëri, bujqësia me të cilën jetonte 60% e popullsisë, ku iu mor edhe ai oborri i shtëpisë fshatarit dhe fshatari vinte të blinte vezë në qytet. Këto ishin tre dhe i dënove krimet e komunizmit dhe u thash hapni dosjet, nuk kam asnjë problem”, deklaroi znj. Bozo.