Paolo Maldini zbërthen merkaton e Milanit. Në një intervistë ish-kapiteni legjendar tashmë në rol drejtuesi te klubi kuqezi foli për shumë elemente të skuadrës së Piolit, duke theksuar se rinovimi me Zlatan Ibrahimovic mbetet një prioritet. Maldini paralajmëroi gjithashtu tifozët e Milanit të mos presin mrekullira në merkato pasi ky është një sezon i pazakontë.

“Do të fillojmë sezonin në rreth 20 ditë dhe kemi pak kohë për t’u bërë gati. Nuk mund t’i gënjejmë tifozët tanë se merkatoja do të jetë si në sezonet e kaluara. Këtë vit do të kemi synime të qarta, por parësore për momentin është rinovimi me Ibrën. Sigurisht që kemi një plan B, C apo dhe D, por prioriteti ynë është qëndrimi i suedezit,” deklaroi ish-mbrojtësi.

“Rinovimi me Donnarumma? Ka një problem, pasi kemi arritur në vitin e fundit të kontratës. Është më e drejtë që për momentin të zgjidhim çështjen e rinovimit të Ibrahimovic së pari. Atëherë do të mendojmë për Gigio. Kemi besim, pasi ai dëshiron të qëndrojë. Ka pak shqetësim prej faktit që kemi arritur në vitin e fundit të kontratës, por ne jemi të gatshëm të bëjmë ofertën e përshtatshme për vlerat që ai ka.

Gjithashtu Bakayoko është një opsion për ne, ka tratativa dhe do të vlerësojmë gjithçka. Është një objektiv i yni, por modalitetet e transferimet po studiohen akoma. Calhanoglu? Do takohemi me menaxherin e tij në javët e para të shtatorit dhe të diskutojmë mbi rinovimin e tij”, mbyll Maldini.