I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve duhet të nisë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“BE-ja dhe SHBA-ja janë të fokusuara që kjo marrëveshje e arritur në Ohër të bëhet realitet. Implementimi nis me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Escobar gjatë një konference për media, të mbajtur online.

“Normalizimi është i përqendruar në të drejtat e pakicave, veçanërisht të serbëve. Është pritshmëria dhe kërkesa jonë që të ecim përpara me këtë”, shtoi ai.

Escobar tha se të dy propozimet e statutit të Kurtit dhe të ekipit menaxhues, të paraqitura në Bruksel ishin serioze, por “tha se nuk i takonte atij të vendoste nëse është serioz, pasi është një proces i ndërmjetësuar nga Evropa”.

I pyetur nëse Serbia e shkeli marrëveshjen kur votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Escobar tha se nuk është i sigurt për këtë gjë.

Komentet e tij vijnë një ditë pas takimit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sëbashku me ndërmjetësuesit evropian, Mirosllav Lajçak dhe Josep Borrell.

Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.

Ndërsa, draft-statuti për formimin e Asociacionit, i prezantuar nga ekipi menaxhues i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, u kundërshtua nga Kurti.

Lideri i Kosovës tha se “qartazi ekziston dëshira për një Republikë Srpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut”, teksa propozoi një draft-vizion të tij.

Vuçiç, në anën tjetër, tha se Kosova “ose do ta pranojë atë për të cilën është rënë dakord në vitin 2015, ose do të jetë fundi i gjithçkaje”.