Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania dhe Franca kanë rënë dakord të shmangin përhapjen bërthamore dhe luftën bërthamore, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga pesë fuqitë bërthamore nga Kremlini.

Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së besojnë se përgjegjësia e tyre kryesore është të shmangin luftën midis fuqive bërthamore dhe të zvogëlojnë rreziqet strategjike, duke kërkuar të punojnë me të gjitha vendet për të krijuar një mjedis të sigurt.

“Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë”. Është ky premtimi i pesë më të mëdhenjve të Tokës, të cilët, në një deklaratë të rrallë të përbashkët, konfirmojnë angazhimin e famshëm solemn të njoftuar nga Ronald Reagan dhe Mikail Gorbaçov në vitin 1985, kur dy liderët i dhanë fund Luftës së Ftohtë duke hedhur bazat e ridimensionimit të arsenaleve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik të atëhershëm.

“Meqenëse përdorimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja të gjera, ne gjithashtu ripohojmë se armët bërthamore – për sa kohë që ekzistojnë – duhet t’i shërbejnë qëllimeve të mbrojtjes, të pengojnë agresionin dhe të parandalojnë luftën,” shtohet më tej.

Franca lëshoi ​​gjithashtu një deklaratë, duke theksuar se pesë fuqitë kanë përsëritur angazhimin e tyre për kontrollin e armëve bërthamore.

Deklarata u miratua në mes të tensioneve në rritje midis Moskës dhe vendeve perëndimore për shkak të akumulimit të forcave ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën.

Moska thekson se ka të drejtë të vendosë trupa në territorin e saj.

Të enjten e kaluar, presidenti i SHBA Joe Biden i tha homologut të tij rus Vladimir Putin se një sulm ndaj Ukrainës do të çonte në sanksione të reja dhe një forcimin e pranisë ushtarake amerikane në Europë.

Me anë të akordit, firmëtarët, anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, synojnë që të krijojnë një botë të lirë nga armët bërthamore dhe ato të shkatërrimit në masë. Problem për arritjen e kësaj mbetet Pakistani, India dhe Koreja e Veriut që posedojnë armë nukleare, ndërsa Izraeli zotëron të paktën 200 bomba atomike.