Marrëveshja e nënshkruar me Pfizer dhe e klasifikuar si sekret nga Qeveria parashikon që sasia e parë e vaksinave për Shqipërinë të mbërrijë brenda muajit janar dhe nuk i lejon Shqipërisë që t’i shpërndajë këto vaksina për shtete të tjera.

Kjo do të thotë se premtimi i Kryeministrit Edi Rama për të furnizuar me një dozë modeste vaksinash Spitalin e Prishtinës në Kosovë mund të mos mbahet.

Kryeministri Edi Rama foli në seancën e parë parlamentare për këtë vit, e parashikuar si seancë formale për nisjen e sesionit të fundit të kësaj legjislature. Por, për shkak të emergjencës, në rend të ditës është futur edhe marrëveshja e nënshkruar me Pfizer për furnizimin me vaksina.

Rama zbuloi disa detaje “anësore” të marrëveshjes, mes të cilave që një vendi i duhet konfirmimi nga Pfizer për t’i dhuruar, apo shitur vaksina një vendi tjetër.

“Ka një element që duhet pasur parasysh që vendet për të bërë marrëveshje me njëra-tjetrën, qoftë për të dhuruar, shitur apo shkëmbyer duhet patjetër që të marrin leje nga Pfizer. Ndryshe ky transaksion është i pamundur. Kështu shkruhet edhe në marrëveshjen që ne sapo kemi përfunduar. Sipas marrëveshjes në parim do të vijë brenda janarit dhe pastaj shkallë-shkallë mund të porosisim sasi të tjera edhe drejpërdrejt nga Pfizer, mëqe e kemi dakordësuar edhe në marrëveshje. Ky është një proces që ka të papriturat e veta”, tha Rama.

Kryeministri ritheksoi se Shqipëria ka si objektiv përfundimin e procesit të vaksinimit brenda 14 muajve, ndërsa tha se marrëveshja me Pfizer nuk i lidh duart vendit për të negociuar me kompani të tjera për vaksina të tjera.

“Nga njëra anë ne kemi siguruar marrëveshje me Pfizer për doza të mëtejshme nëse kështu do të gjykohet në vijim dhe nga ana tjetër i kemi lënë vetes hapësirë për të bërë marrëveshjet e duhur në kohën e duhur për negociata të tjera”, tha Rama.

Kryeministri u qëndron deklaratave qortuese ndaj Bashkimit Europian në lidhje me menaxhimin e vaksinave anti-Covid përtej kufijve të unionit, qëndrime që ngjallën reagimin e Ambasadës Franceze në Tiranë.

“Për fat të keq në konceptin e planifikimit të marrjes së aksesit në vaksinim përmes Pfizer, BE nuk pa përtej kufijve të vetvetes dhe faktikisht e la fatin e vaksinimit të rajonit të Ballkanit në atë që u quajt mundësi për marrëveshje bilaterale”, tha ai.

Kreu i Qeverisë u shpreh se Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet e vetme të rajonit që kanë nisur procesin e vaksinimit.

“Përjashto Serbinë dhe Shqipërinë, asnjë nuk ka filluar vaksinimin. Të gjitha vendet e rajonit prej kohësh kanë parapaguar për të pasur akses përmes COVAX, një platformë për të gjithë por që ende nuk është hapur. Ende nuk ka filluar furnizimi përmes COVAX.