Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar masat e reja që hyjnë nga kjo e enjte. Në një deklaratë për mediat, drejtuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, tha se të gjithë qytetarët duhet të respektojnë masat e reja.

Fico u shpreh se maskë duhet të mbajnë të gjithë qytetarët që ecin në rrugë apo park, kur futen në ambiente të përbashkëta si bare, restorante, marke, farmaci etj. Po ashtu maska do mbahet dhe nga të gjithë shoferët, nëse kanë persona të tjerë në makinë apo motoçikletë.

“Maska duhet mbajtur në rrugë, parqe, në të gjitha ambientet e përbashkëta, në makinë kur brenda saj ka dhe persona të tjerë, si dhe në motoçikletë kur shoqërohesh me një person jo familjar”, tha ndër të tjera Albana Fico.

Por jo të gjithë qytetarët do mbajnë maskë, pasi disa shtresa përjashtohen. Fico tha se fëmijët, personat që kanë probleme me shëndetin nuk do mbajnë barrierën mbrojtëse kur dalin jashtë shtëpisë.

“Në të gjitha rastet kur përdorimi i maskës dëmton shëndetin. Gjatë ushtrimit të aktiviteteve fizike, nga personat që lëvizin vetëm me biçikletë, motoçikletë, apo makinë. Në familje kur jeni me persona të tjerë të familjes. Kur kryen aktivitete sportive, si not në pishina, det etj”, shtoi Fico.

Mbajtja e maskës është me detyrim dhe për të gjithë ata që nuk zbatojnë rregullin do të ketë ndëshkim. “Do të jetë 3 mijë lekë gjoba për shkelësit për herë të parë dhe 5 mijë lekë për ata që përsërisin shkeljen”, përfundoi Fico, drejtuese e ISHP.

PËRDORIMI KORREKT I BARRIERËS MBROJTËSE (MASKËS)

Kërkon që:
– Maska e fytyrës duhet të mbulojë plotësisht hundën, gojën dhe mjekrën.
– Është e rëndësishme të pastrohen duart me sapun dhe ujë ose desinfektues duarsh me bazë alkooli përpara se të vendoset dhe hiqet maska.
– Maska nuk duhet të preket kur vendoset.
– Maska duhet të hiqet nga pas, duke shmangur prekjen e përparme të saj duke palosur qoshet e jashtme së bashku.
– Maska kirurgjikale hidhet në koshin e mbetjeve pas heqjes.
– Maska jo mjekësore prej tekstili, e ripërdorshme pasi hiqet duhet të lahet pas çdo përdorimi, duke përdorur larës të zakonshëm në 60° C.

KUR DUHET TË MBAHET MASKA
Barriera mbrojtëse (maska) duhet patur gjithmonë me vete. Përdorimi i barrierës mbrojtëse (maskës) jashtë shtëpisë rekomandohet parimisht në këto raste:
a. Sa herë dilni nga shtëpia;
b. Çdo individ mbi moshën 11 vjeç;
c. Gjatë të gjithë ditës gjatë të gjithë veprimtarisë jashtë banesës.
d. Në çdo dyqan, supermarket apo aktivitet tregtar
e. Në të gjitha mjetet e transportit publik dhe jo publik kur në to gjenden persona të tjerë përveç drejtuesit të automjetit.
f. Edhe gjatë ecjes në rrugë
g. Gjatë qëndrimit në të gjitha vendet publike të hapura si park apo shesh
h. Gjatë të gjithë aktivitetit të punës në zyra, të gjithë institucionet publike dhe jo publike, teatër, kinema, muze, biblioteka, etj
i. Në hyrje dhe dalje nga banesa si dhe ashensorë
j. Përpara dhe pas konsumit të ushqimit në bare dhe restorante
k. Në motoçikletë kur merr një person tjetër jo anëtare të familjes
l. Nëse jeni duke u kujdesur në shtëpi për një familjar me COVID-19
m. Në të gjitha institucionet fetare.
n. Nga personat që e kanë kaluar SARS COV -2 për t’u mbrojtur nga shkatarët e tjerë infektivë respiratorë.
o. Në institucionet arsimore dhe ato të kujdesit shëndetësor sipas rekomandimeve të mëparshme.

MODIFIKIMET E PËRDORIMIT TË BARRIERËS MBROJTËSE MASKËS
Ka disa raste që ju lejohet ta hiqni barrierën mbrojtëse apo të modifikoni përdorimin e saj:
a. Nëse kërkohet për qëllime të identifikimit personal nga zyrtarët përkatës në polici, në bankë, postë, gjykatë, etj
b. Gjatë ngrënies apo konsumimit të pijeve, por në hyrje e në dalje nga baret dhe restorantet maska duhet të vendoset.
c. Gjatë procesit të manipulimeve dentare, por në hyrje e në dalje nga klinika maska duhet të vendoset.
d. Nga personat që mbajnë/drejtojnë lutjen/shërbesën/ceremoninë fetare
e. Nga persona me humbje të dëgjimit dhe të folurit ose për personat gjatë kohës së komunikimit me ta, nëse nuk kanë mundësi të përdorin maska të posaçme (trasparente).
f. Nëse kërkohet nga stafi i dyqaneve ose marketeve përkatëse për identifikim të moshës, përfshirë blerjen e produkteve me moshë të kufizuar, siç janë duhani dhe alkooli
g. Nga punëtorët që punojnë në ambiente të jashtme, gjatë procesit të punës kur sigurohet distance fizike jo më pak se 1.5m.
h. Nga të ftuarit në emisionet televizive me kusht që të ruhet distanca jo më pak se 1.5 metra.

1. RASTET PËRJASHTIMORE TË PËRDORIMIT TË BARRIERËS MBROJTËSE (MASKËS) janë:
2.
a. Në të gjitha rastet kur përdorimi i maskës dëmton shëndetin sipas rekomandimit të mjekut të familjes*).
b. Nga persona me sëmundje që i bëjnë të paaftë për përdorimin maskës*).
c. Gjatë ushtrimit të aktiviteteve sportive.
d. Nga persona të cilët lëvizin të vetëm me biçikletë, motoçikletë apo monopatinë.
e. Kur në makinë është vetëm drejtuesi i mjetit ose persona që kanë lidhje familjare me të
f. Në aktivitete që mund të shkaktojnë lagien e maskës, si p.sh. gjatë larjes në pishinë, liqe ose në det.
g. Në shtëpi me anëtarët e ngushtë të familjes.

* Atyre që për shkak të moshës, shëndetit ose për arsye të paaftësisë nuk bartin maskë, do t’u kërkohet dokumentacioni shëndetësor që verifikon statusin aspo vërtetimi respektiv.