Kryeministri Edi Rama ka pritur delegacionin e qeverisë së Kosovës, cili po qëndron sot në Tiranë për të zhvilluar mbledhjen e gjashtë ndërqeveritare mes dy shteteve.

Mbledhja e dy qeverive ka nisur dhe po mbahet në ambientet e “Pallatit të Kongreseve”. Në këtë mbledhje pritet të nënshkruhen 11 marrëveshje, të karakterit social dhe ekonomik mes dy vendeve.

Ajo që bie në sy lidhet me faktin se në mes të tryezës ku janë ulur përfaqësuesit e dy qeverive shquhet qartë slogani me mesazhet: “Bashkë pa kufi” dhe “Në një rajon pa kufij’.

Kryeministri i Shqipërisë tha se qeveritë përkatëse do të punojnë për të forcuar mekanizmat e bashkëpunimit në disa sektorë. Krahas shkëmbimeve tregtare, dhe bashkëpunimeve në infrastrukturë, Rama tha se një çështje tjetër që ka pasur sukses lidhet në fushën diplomatike. Ai shtoi se dy vendet kanë patur një bashkëpunim të harmonizuar në këtë drejtim.

“Bashkëpunimi në fushën diplomatike ka funksionuar si një shtyllë bashkëpunimi dhe harmonizimi mes dy qeverive. Arritjet e forcave shqiptare në disa vende të rajonit, flasin shumë qartë mbi potencialin që kanë shqiptarët”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, z. Rama theksoi se ambicia kryesore është heqja e kufirit në zbatim të katër lirive të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor. Ai shtoi se kjo duhet të nisë fillimisht me heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Padyshim, që nuk mjafton dhe ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të katër lirive të BE në rajonin tonë, duke filluar nga më e thjeshta dhe më kuptimplota, heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Besoj që është e rëndësishme që Ministritë e Brendshme të intensifikojnë punën për të krijuar të dhënat e përbashkëta dhe për të mundësuar kontrollin në kohë reale të hyrjeve dhe daljeve në të gjitha pikat kufitare të perimetrit tonë të përbashkët, gjë që do të na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbur asnjë centimetër në frontin e betejës kundër aktivitetit të paligjshëm apo çdo forme abuzimi me lirinë e lëvizjes’, tha Rama.

Gjithashtu një temë tjetër që Rama vuri theksin ishte ajo e mosliberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ai theksoi se heqja e kësaj të drejte për shqiptarët e Kosovës nuk është gjë tjetër, por thjesht një “turp i pashlyeshëm dhe i pajustifikueshëm i BE-së”.

“Mosliberalizimi i vizave për Kosovën është një turp për BE, i pashlyeshëm dhe i pajustifikueshëm. Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme në vendet të ndryshme të BE. Shqipëria dhe RMV e paguajnë me sajesa pasajesa, sipas konfiguracionit elektoral në një vend apo në një vend tjetër, dhe rajoni e paguan në tërësi”, tha Rama.

Bazuar sa më sipër, shefi i qeverisë shqiptare tregoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, ndërsa parashtroi këto argumente: “Kjo është arsyeja se pse ujë jam i bindur se nëse bashkëpunim rajonal është padyshim një valvul e rëndësishme shkarkimi për sa i përket presionit të madh dhe objektiv mbi tregjet shumë të vogla, që në jemi të ndarë nga njëri-tjetri. Zgjerimi i tregjeve në rajon nuk sjell asgjë të keqe, por përkundrazi sjell më shumë ekonomi, dhe më shumë mundësi për paqe dhe një zgjidhje përfundimtare të çështjes, që është njohja e Kosovës nga Serbia”, shtoi ai.

Kryeministri Avdullah Hoti u shpreh se me firmosjen e disa marrëveshjeve mes dy vendeve, të cilat përfshijnë fusha dhe sektorë të ndryshëm, Kosova dhe Shqipëria tashmë kanë krijuar një fazë të re të marrëdhënieve ndërshtetërore. Këto risi shtoi Hoti do të prodhojnë lehtësi të shtuara në mirëfunksionimin e jetës së qytetarëve dhe bizneseve.

“Duke parë edhe listën e marrëveshjeve besoj, që sot, hyjmë në një fazë të re të marrëdhënieve ndërshtetërore me qëllim lehtësimin e funksionimit të jetës së qytetarëve, bizneseve tregon përkushtimin tonë. Kemi vlerësuar se me implementimin e këtyre marrëveshjeve në shëndetësi, ekonomi, kulturë tregojnë përkushtimin dhe vendosmërinë për të zgjidhur shumë nga problemat që i preokupojnë qytetarët tonë”, tha Hoti.