Qeveria është tërhequr nga projektligj që i jepte kompetenca policisë së shtetit për kryer përgjime ambientale në raste të dyshuara për vepra penale apo për parandalimin e ngjarjeve kriminale. Ndryshimet e reja udhëtojnë policinë të kryer monitorim dhe ndjekje nga agjentët por pa përdorur mjetet elektronike të komunikimit.

“Në thelb janë bërë ndryshime sa i përket terminologjisë, për arsye se pati disa keqkuptime që besoj që ishin të argumentuara sa i përket terminologjisë.

Për arsye se shumë veta e keqkuptuan si një ndërhyrje në ligjin e përgjimeve, dhe për dhënie atributesh, kompetencash policisë për të kryer përgjime, me iniciativën e vet dhe nën përgjegjësinë e vet.

Është rishikuar terminologjia duke zëvendësuar fjalën “përgjim ambjental”, me “mbikëqyrje”. Kjo besoj e ka zëvendësuar në thelb shqetësimin e disa kolegëve të komisionit dhe të disa përfaqësueseve të institucioneve. Thelbi i këtij ndryshimi në ligj është neni 131, i cili flet për masat e veçanta”, tha ministri Lleshaj gjatë mbledhjes online të Komisionit të Sigurisë.

Një tjetër ndryshim që është propozuar në komisionin e sigurisë është dhe kalimi i punonjësve të policisë në struktura shtetërore.

Sipas Lleshajt policët që kanë mbushur moshën 55 vjeç, një pjesë e tyre mund të transferohen tek ‘Illyrian Guard’ për të shërbyer në ruajtjen e objekteve apo struktura si hetimi tatimor.

Në rast se lind nevoja këta punonjës kanë dalë në pension dhe shërbejnë në struktura shtetërore mund të rikthehen sërish në policinë e shtetit.

Projektligji i iniciuar 5 muaj më parë solli një debat të gjerë. Prokuroria e Përgjithshme u shpreh në atë kohë kundër nismës së qeverisë për ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit.

Kundërshtitë e Prokurorisë nisnin që në nenin e parë të projektligjit nëpërmjet të cilit Policisë së Shtetit i jepet e drejta e hetimit gjë që në legjislacionin aktual është ekskluzivitet i organit të akuzës. Debati më i fortë për këtë ligj është dhënia e kompetencave policisë që të kryejë përgjime në kuadër të hetimit policor, gjë që aktualisht mund të kryhet vetëm me autorizimin e Prokurorit.