Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar sot se ajo do të marrë dozën e AstraZenecas kur të thërritet për të bërë vaksinën, duke shtuar se motoja e qeverisë për të luftuar pandeminë e koronavirusit është “vaksinimi, vaksinimi, vaksinimi”.

“Po, unë do ta marr vaksinën e AstraZeneca-s”, tha Merkel, duke shtuar se “do të presë derisa ti vijë radha, por gjithsesi do të vaksinohem me të”.

Deklarata e kancelares vjen ndërsa Gjermania rifilloi shpërndarjen e vaksinës së koronavirusit të AstraZeneca të premten, një ditë pasi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) rikonfirmoi se vaksina është “e sigurt dhe efektive” në parandalimin e koronavirusit dhe “nuk shoqërohet me një rritje të përgjithshme rreziku të ngjarjeve tromboembolike, ose mpiksjes së gjakut”.

Duke folur gjatë konferencës për shtyp, Merkel tha se qeveria kishte të drejtë të vendoste një pezullim të përkohshëm të përhapjes së vaksinës në mënyrë që të garantonte sigurinë e saj.

Më herët, kancelarja gjermane Angela Merkel pati deklaruar se nuk do të merrte vaksinën AstraZeneca COVID-19, sepse ajo është shumë e moshuar për përdorimin e kësaj vaksine.

Gjermania fillimisht e rekomandoi vaksinën për personat nën 65 vjeç, më pas pezulloi aplikimin e saj, për ta rikthyer sërish pasi EMA e cilësoi atë si të sigurtë.