Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka caktuar masat e sigurisë për gjyqtaren Enkelejda Hoxha dhe personat e tjerë të arrestuar bashkë me të.

Oër gjyqtaren Hoxha është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”. Po ashtu në burg kanë mbetur dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë.

Të pranishëm para gjykatës ishin babai i moshuar i gjyqtares dhe vajza e saj, të cilët thonë se ajo ka punuar me ndershmëri dhe është detyruar të marrë vendimet e dyshimta.

Kjo e fundit deklaroi për mediat se nëna e saj kishte punuar me ndershmëri prej 18 vjetësh në gjykatën e Krujës dhe se ishte detyruar nga dikush që të merrte vendimet e dyshimta për të cilat u arrestua, nga ku rezulton të jenë liruar nga burgu persona të njohur të botës së krimit.

Ndërkohë Belul Hoxha, babai i gjyqtares tha se e bija, e cila ka edhe një djalë 19-vjeçar autik, ka kërkuar shumë herë të transferohet në Tiranë dhe e kanë gënjyer për vite me radhë.

Sipas tij, është e pakuptimtë që ajo po akuzohet për korrupsion dhe jeton në një banesë me divane të kohës se komunizmit.

Hetimet

Pothuajse një vit hetime me iniciativë të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) çuan në zbulimin e një skeme korrupsioni në gjykatën e Krujës ku të dënuarit përfitonin ulje dënimi kundrejt ryshfetit deri në 12 mijë euro. Prokuroria e posaçme kishte nisur hetimet kryesisht pas akuzave publike ndaj gjyqtares Enkeleda Hoxha pas lirimit me kusht të Endrit Dokles ndërsa mëngjesin e së enjtes agjentët e policisë e kanë prangosur në sallën e gjyqit.

Gjyqtarja, e cila me vendimet e saj ka liruar nga qelia edhe eksponentë të krimit si Genc Tafili dhe Hekuran Billa mësohet se po shqyrtonte kërkesën e të dënuarit për vrasje Saimir Petani, i cili sipas hetimeve do të përfitonte lehtësi nga vendimi që do të jepej.