Presidenti Ilir Meta ka publikuar në faqen zyrtare të Presidencës përgjigjet mbi 72 pyetjet që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i drejtuan atij gjatë shqyrtimit të vendimit të Kuvendit për shkarkimin e kreut të shtetit.

“Pas shqyrtimit të përmbajtjes së të gjithë pyetjeve, rezultoi se disa prej tyre në dukje përmbajnë elementë të paragjykimit të çështjes dhe mund të jenë të ndikuara nga perceptimi propagandistik”, thuhet në përgjigjen e Metë drejtuar “Kushtetueses”.

Po ashtu në përgjigjen e tij, Meta pretendon se ka dhënë qëndrimin dhe ka parashtruar kërkimet e tij në mënyrë shteruese dhe shumë të qartë që prej Korrikut 2021 duke kërkuar njëkohësisht shqyrtimin e çështjes brenda një kohe sa më të shpejtë që do të duhej të përkonte edhe me përfundimin e Legjislaturës së IX të Kuvendit.

“Nëse Gjykata do të kishte shqyrtuar me vëmendje të thelluar këto qëndrime të Presidentit të Republikës, apo dhe provat që e shoqërojnë atë, shumë prej pyetjeve sot nuk do të ekzistonin”, thuhet në përgjigje.

Në përgjigjet e pyetjeve përfaqësuesit e Metës kanë shkruar se Legjislatuara e X aktuale nuk përfaqëson vullnetin e legjislaturës së kaluar.

“Kjo trupë është tërësisht e ndryshme nga përbërja aktuale e Legjislaturës së X-të, kur vetëm 40 deputetë aktualë kanë qenë deputetë në legjislaturën e kaluar kur u votua për shkarkimin e Presidentit”.

Po ashtu aty flitet edhe për dyshime të forta për manipulim të një prove shkresore.

“Mes këtyre dy versioneve rezultojnë qartë disa ndërhyrje që ngrenë dyshime të forta për manipulim të këtij dokumenti, me qëllim rrëzimin e pretendimeve të faktuara të Presidentit të Republikës për shkeljet procedurale që ka kryer Kuvendi i Shqipërisë gjatë gjithë procesit të ndërmarrë për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Jemi thellësisht të tronditur se si mundet organi i Kuvendit të Shqipërisë, apo administrata e tij, që në përmbushje të një qëllimi të pastër politik, për të mbrojtur para Gjykatës shkeljet që ka kryer në mënyrë flagrante, arrin të manipulojë dhe përmbajtjen e akteve të veta”, thuhet në përgjigje.

Për këtë akuzë, Presidenti Meta ka paralajmëruar se do të ngrejë padi në Prokurori për falsifikim.