Gjykata e Posaçme ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për kardiokirurgun e QSUT, Edvin Prifti pas kërkesës së Prokurorisë që e akuzon për pastrim parash.

Prifti tha për mediat tha se është totalisht i pafajshëm dhe të ardhurat e tij janë të gjitha e tij janë të justifikuara.

“Jam totalisht i pafajshëm të gjitha argumentet dhe të gjitha provat i janë vënë në dispozicion gjykatës. Të gjitha të ardhurat e mia janë të justifikuara”, tha mjeku.

I pyetur për kohën përfundimit të operacionit, mjeku tha se i gjithë operacioni ka një prapavijë politike.

“Pikëpamjet e mia nuk janë të djathta, por janë thellësisht liberale edhe demokratike në funksion të popullit tim në funksion të asaj që duhet të mendojmë. Sigurisht që mendimet e mia janë të shprehura dhe të dokumentuara në vite dhe është detyrë e çdo intelektuali ta bëjë. Nëse këto bien ndesh me personalitete të caktuara, këtu është problemi i tyre. Besoj se kjo është elektorale”, u shpreh ai.

Seanca

Mjeku Edvin Prifti mohoi para gjykatës të kishte lidhje me akuzat e ngritura ndaj pas përgjimeve për gjyqtaren Enkeleda Hoxha, e arrestuar dy ditë më parë.

Ai deklaroi se kishte mbaruar studimet me medalje ari në Itali ku edhe kishte punuar për një kohë për t’u kthyer në Shqipëri në vitin 2006.

Sipas tij, paratë e sekuestruara nga SPAK i kishte fituar në disa çmime ndërkombëtare dhe nga të ardhurat si mjek në shtet dhe privat.

Kardiokirurgu u shpreh se ishte befasuar kur prokuroria kishte kërkuar masën e arrestit më burg për të, ndërsa theksoi se me punën e tij në drejtim të repartit të kardiokirurgjisë në QSUT kishte kthyer besimin e qytetarëve tek shëndetësia, pasi kishte operuar me mijëra njerëz.

“Sot në seancë u njohëm me ashpërsimin e masës së sigurisë për një krim hipotetik, për të cilin s’ka prova. Pse nuk u ndërhy në korrik të 2020 kur u bë operacioni, por 7 muaj më pas, në vigjilje të fushatës së zgjedhjeve”, mësohet të jetë shprehur avokati i mjekut.

Dy ditë më parë në shtëpinë e mjekut Edvin Prifti, SPAK gjeti dhe sekuestroi një sasi të madhe parash cash, përfshirë 250 mijë euro dhe 160 mln lekë.

Përgjimet

Edvin Prifti doli në përgjime në kuadër të operacionit për arrestimin e gjyqtares Hoxha. Prifti kishte komunikuar me sekretaren e Gjykatës Krujë, ku kjo e fundit i kërkonte favor për të asistuar në operacionin e nënës së saj.

Me vendim gjykate, kardiokirurgu kishte marrë masën e pezullimit nga detyra, por prokuroria pas kontrollit në banesën e tij kërkoi t’i shtohet akuza e pastrimit të parave.