Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas sfidës që i bëri Presidenti Ilir Meta që të tregonte se me cilin personazh krimi ishte takuar pas akuzave të tij se takohet nëpër skuta me subjekte të OFLS-së.

Rama nuk tregon emra, por thotë Shqipëria nuk i ka asnjë borxh Metës, pasi e ka bërë, kryeministër, kryeparlamentar dhe president.

Reagimin e fundit të Metës, i cili thoshte se jepte dorëheqjen nëse Rama tregon me kë personazh krimi është takuar, kreu i qeverise e konsideron “shkallim” të Presidentit, “që sekëlldisin jo veç të gjallët po edhe të rënët për liri të këtij vendi, të cilëve u je qepur me dekoratat e me fjalimet e tua qesharake”.

“Ilir çfarë borxhi të ka Shqipëria që të bëri kryeministër, kryeparlamentar, president dhe duhet të durojë shkallimet e tua të përditshme, që sekëlldisin jo veç të gjallët po edhe të rënët për liri të këtij vendi, të cilëve u je qepur me dekoratat e me fjalimet e tua qesharake”, shkruan Rama.

Më herët, Presidenti deklaroi se është i gatshëm të japë dorëheqjen nëse Rama tregon emrin, vendin dhe kohën ku është takuar me një personazh krimi. Në të kundërt, Meta paralajmëroi Ramën se nuk do t’i ndahet derisa ta përzërë nga PS-ja.

Këto deklarata vijnë pas një fjalimi të Ramës në Kuvend, ku tha se Meta takohet nëpër skuta me subjekte të OFL-së.