Presidenti Ilir Meta thotë se skandalet e fundit të publikuar për inceneratorët, janë vetëm maja e ajsbergut në lidhje me këtë aferë.

Në një deklaratë për mediat, Meta u shpreh se të gjitha paratë e përfituara nga skemat abuzive, shkojnë për llogari të krimit.

“Të gjitha këto para shkojnë për llogari të krimit dhe të askujt tjetër. Janë paratë e qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Është një situatë tepër dramatike. Ftoj Kuvendin të merret më seriozisht me këtë çështje sepse është e qartë që ende nuk ka filluar maja e ajsbergut për aferën e inceneratorëve”, theksoi Kreu i Shtetit.

Meta ngre dyshime se si mundet që sistemet bankare të lejojnë transaksione me firma të njerëzve që nuk jetojnë më, teksa përmendi edhe mos veprimin e institucioneve, si QKB-ja apo Krimi Ekonomik.

“Shohim që prej vitesh bëhen veprime të tilla dhe këto veprime bëhen në banka. Çfarë është ky sistem bankar që pranon firma të tilla, firma të njerëzve që nuk jetojnë, firma të njerëzve që janë në azile. Çfarë është QKB-ja që pranon të bëjë veprime të tilla, çfarë janë këto noterë që bëjnë këto veprime, ku është Krimi Ekonomik, ku është institucioni i pastrimit të parave, kush mban përgjegjësi për këto skandale që jo vetëm nuk mbarojnë, por vetëm thellohen”, deklaroi Meta.

Këtë martë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) urdhëroi pezullimin e kompanive të përfshira në aferën e inceneratorit të Tiranës, pas denoncimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.