Presidenti Ilir Meta ka akuzuar sot qeverinë për ndarjen selektive të shërbimit mjekësor dhe kryesisht vaksinimit. Sipas kreut të shtetit, kjo ndodh vetëm në diktaturë, ndërkohë që vendi, sipas tij, rrezikon të përballet me katastrofën më të madhe epidemiologjike.

“Standarde të dyfishta për të përzgjedhurit e vaksinimeve. Qeveria pa plan për furnizimin me vaksina. Vendi rrezikon një katastrofë epidemiologjike me pasoja të rënda. Plane konfuze të ndryshueshme dhe jo transparente, që shkojnë nga 14 muaj e më shumë, nuk mund të jenë alibi për të braktisur mijëra qytetarë dhe dhjetëra që po humbin jetën. Vetëm kriteret shëndetësore të vendosura ndërkombëtarisht janë ato që duhet të vendosin. Kriteret e ndarjes klasore arbitrare e selektive për të marrë këtë shërbim janë tipike për diktaturat dhe diktatorët”, akuzoi Meta.

Meta apeloi për rishikimin e buxhetit të shtetit për të investuar në mënyrë konkrete dhe jo sekrete në shëndetësi. Sipas tij, tunelet imagjinare presin, ndërsa jeta e qytetarëve, jo. Sipas tij, paratë nuk duhet të shkonin për koncesione, por për biznese dhe të dëmtuarit nga pandemia.

“Nuk mund të lihen më pa pajisje respiratore dhe barnat për këtë pandemi. Nuk mund të lihen qytetarët të përballem me çmimet e larta të testimit. Nuk mund të lihen qytetarët e mijëra të sëmurë në mëshirë të fatit që trajtohen në banesë dhe nuk u rimbursohet asgjë. Është koha për të rishikuar buxhetin e shtetit në mbështetje të shëndetësisë dhe duke investuar në mënyrë konkrete dhe jo sekrete. Një pjesë mund të kishin shkuar për bizneset dhe jo të dyfishoheshin për koncesionet, sepse tunelet imagjinare presin, shëndeti i qytetarëve nuk pret. Në 14 ditë një qytetar ose ndihmohet e shpëton, ose vdes. Një jetë nuk kthehet më, tunelet bëhen prapë, por jeta nuk kthehet më, nuk ka pse të paguhen miliona euro për inceneratorët”.

Sipas Metës, qeveria ka injoruar të gjitha kërkesat e presidentit dhe propozimet duke e politizuar situatën. Ai i bëri thirrje kryeministrit që të përqendrohet te pandemia dhe jo te batutat.

“Është për të ardhur keq që janë injoruar jo vetëm kërkesat e presidentit dhe të gjitha propozimet e sugjerimet. Çdo gjë është përpjekur për t’u politizuar. Nuk mund të fajësohet qeveria për pandeminë, por disa standarde mund t’i kishim në nivelin e Kosovës, apo vende të tjera.

I bëj thirrje kryeministrit e qeverisë që të përqendrohen te çështja më e madhe që ka vendi sot, se historia me batuta e shëmtira jo vetëm nuk i nderon, por i bën përgjegjës në mënyrë historike për këtë që po ndodh”, përfundoi Meta.