Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur për mediat pas takimit të zhvilluar me presidentin Bajram Begaj me të cilin bisedoi për caktimin e datës për zgjedhjet lokale.

Sipas Metës, data e këtyre zgjedhjeve duhet të shpallet sa më shpejt që shqiptarët të shpëtojnë nga degradimit monist vendor.

“Ishte një kënaqësi të takohesha me presidentin me kërkesën e tij për të diskutuar lidhur me zgjedhjet e ardhshme. Qëndrimi im ishte i qartë të shpallet data në respekt të afateve kushtetuese dhe besoj se kështu do të ndodhë sepse një orë më parë qytetarët duhet të shpëtojnë nga zgjedhjet moniste në pushtetin vendor, nga shpërdorimi i taksave që erdhi si pasojë e degradimit të pushtetit monist vendor. I sigurt se rikthimi i opozitës në këshilla do të japë një kontribut për forcimin e llogaridhënies. Data i përket presidentit dhe nuk besoj se një javë më parë apo më shumë është e rëndësishme. E rëndësishme është që data të njihet sa më parë dhe KQZ të përgatitet. Partitë të marrin masa për t’u përgatitur për zgjedhjet dhe po ashtu dhe kandidatët e pavarur”, tha Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë gjithashtu dha detaje nga takimi me Sali Berishën, me të cilin tha se bisedoi për zgjedhjet, protestat dhe forcimin e demokracisë.