Kur pandemia COVID-19 goditi Europën, qeveritë e Ballkanit Perëndimor, së bashku me shumë vende të Europës Qendrore, morën masa të rrepta dhe numri i viktimave mbeti i ulët në fillim.

Ndërkohë që Italia, Spanja, Franca, Belgjika dhe më vonë Mbretëria e Bashkuar ishin vendet që vuajtën më shumë në Europë, Europa Lindore fillimisht eci mirë. Shkaqet ishin ndoshta një përzierje faktorësh, siç është shmangia e valëve të hershme të infeksionit dhe kështu nxjerrja e mësimeve nga vendet më të prekura.

Për më tepër, gjendja më e pasigurt e sistemeve të tyre të kujdesit shëndetësor i bëri këto qeveri të marrin masa drastike herët, ndërsa shumë qeveri në Europën Perëndimore hezituan të ndërmarrin masa kufizuese.

Ky avantazh shkoi mirë deri në maj ose qershor. Por që nga ajo kohë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë zhvendosur nga vendet më pak të prekura në ato me numrin më të madh të rasteve në Europë.

Çfarë e shpjegon këtë ndryshim, nga të qenit rajoni që fillimisht pati më pak raste në Europë, në rajonin me më shumë raste?

Disa arsye specifike të këtyre shteteve mund të shpjegojnë rastet individuale, të tilla si zgjedhjet e fundit në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut ose kriza qeveritare në Kosovë, apo edhe protestat në Mal të Zi dhe Serbi. Megjithatë, asnjëra prej këtyre nuk ofron një perspektivë gjithëpërfshirëse rajonale.

Kjo nuk do të thotë se asnjë nga këto arsye nuk kanë rëndësi. Ato janë të gjitha pjesë e sfidave më të mëdha me të cilat përballen këto shoqëri. Shkalla e mosbesimit midis qytetarëve dhe shtetit në Ballkanin Perëndimor është e lartë. Qytetarët nuk u besojnë institucioneve shtetërore dhe qeveritë nuk u besojnë qytetarëve të tyre. Ky mosbesim mundësoi si rezultatet e hershme të mira e po ashtu kontribuoi në zhvillime më shqetësuese gjatë javëve të fundit.

Pothuajse të gjitha qeveritë në Ballkanin Perëndimor imponuan orare qëndrimi të detyrueshëm në shtëpi, që i penguan njerëzit të dilnin nga shtëpitë e tyre gjatë fundjavave dhe festave. Një prej masave më ekstreme ishte qëndrimi mbyllur në shtëpi për 80 orë për festën e Pashkës Ortodokse në Serbi. Kufizime të tjera nuk lejonin gjithashtu të moshuarit dhe ndonjëherë edhe fëmijët të dilnin nga shtëpitë e tyre.

Këto masa represive ishin të krahasueshme vetëm me ato të vendeve në Europë që u goditën më rëndë nga pandemia, sikurse janë Italia dhe Spanja.

Përveç masave kufizuese, mesazhi kryesor nga këto qeveri ishte fajësimi i qytetarëve të tyre për papërgjegjshmëri dhe mosrespektim të masave kufizuese ose se nuk kanë shfaqur kujdes të mjaftueshëm.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shëtiti nëpër Tiranë duke i qortuar qytetarët për mosrespektim të masave kufizuese. Qeveria malazeze publikoi një listë online të qytetarëve që ishin të detyruar të qëndronin në karantinë në shtëpi dhe gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të kontrollonin bashkëqytetarët e tyre. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, fillimisht fajësoi serbët që ktheheshin nga jashtë për përhapjen e COVID-19 dhe pastaj qytetarët e zakonshëm për sjelljen e tyre të papërgjegjshme.

Masa të tilla të ashpra u aplikuan për t’i mbajtur shifrat e COVID sa më të ulëta dhe, pavarësisht natyrës së tyre represive, gjithashtu dukej se gëzonin një mbështetje në masë. Pjesërisht, kjo është pjesë e një fenomeni më të gjerë ku qytetarët e vendosin besimin e tyre në institucionet shtetërore në kohë krize – për sa kohë që ato funksionojnë.

Është një lloj besimi i bazuar në shpresën se shteti mund të garantojë kujdesin e nevojshëm. Në Ballkanin Perëndimor, ajo gjithashtu bazohet në dëshirën për një shtet të fortë dhe një udhëheqës të fortë që reagojnë me vendosmëri, edhe nëse ata mbështeten në represion më shumë sesa në edukim. Kur shtetet u shfaqën të dobëta përsa i përket zbatimit të rregullave, kjo shkaktoi një ndjenjë zhgënjimi me shtetin dhe shtimin e mbështetjes për sundimin nga një lider i fortë.

Sondazhet e dy dekadave të fundit sugjerojnë se ndërkohë që shumica e qytetarëve në rajon ende e mbështesin demokracinë, mbështetja e përgjithshme për demokracinë ka shënuar rënie. Për më tepër, shumë do të preferonin që demokracia të kombinohej me një sundimtar që nuk kufizohej nga kontrollet dhe ekuilibrat.

Masat efikase të ndërmarra nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor ishin lojëra ndjenjash dhe projektuan idenë e një qeverie të fortë dhe të vendosur.

Megjithatë, këto masa kishin edhe të meta fatale. Së pari, ato shpesh ishin gjysmë të menduara mirë; orët e stërzgjatura në shtëpi bënë që hapësirat publike të ishin më të mbushura me njerëz para dhe pas këtij orari dhe kjo e bëri më të vështirë distancimin social, ndoshta edhe të pamundur.

Së dyti, masat e ashpra të qëndrimit të detyruar në shtëpi nuk ishin të qëndrueshme, sidomos pasi këto vende nuk kishin përjetuar raste të mëdha vdekjesh siç ndodhi në rastin e Spanjës, Italisë dhe Francës. Qëndrimi brenda në shtëpi për disa ditë, pa qenë në gjendje të parashikohen rreziqet e mosrespektimit të rregullave, e bënë më të vështirë vazhdimin e masave të tilla në terma afatgjata.

Këto sfida nuk ishin unike për Ballkanin Perëndimor. Shumë qeveri më parë kanë ndërmarrë një qasje paternaliste, duke qortuar qytetarët dhe duke fajësuar ata për dështimet.

Por për shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo prirje ka qenë më e theksuar pasi masat kufizuese ishin më të rrepta dhe kontribuuan në trendin ekzistues autoritar.

Si rezultat, masat kufizuese shpesh u hoqën me shpejtësi gjatë majit dhe qershorit. Rasti më ekstrem ishte Serbia, e cila u tregua tepër radikale në këtë aspekt. Aty, pothuajse të gjitha aktivitetet, përfshirë ato për të cilat dihet se janë me rreziqe të larta, siç janë ndeshjet e futbollit dhe klubet e natës, u lejuan të rifillojnë punën e tyre.

Kudo tjetër, masat kufizuese u hoqën gjithashtu më shpejt sesa në vendet e tjera. Në disa raste, shtetet hezituan t’i kufizojnë traditat fetare, si në rastin e Maqedonisë së Veriut, e cila lejoi meshat e Pashkës të kryera nga Kisha Ortodokse si dhe festën e Bajramit. Të dyja këto ditë feste u festuan me pak kufizime.

Me shifrat e COVID-19 tani në rritje, sidomos në Serbi, masat kufizuese duhet të rivendosen. Megjithatë, kërcënimi për marrjen e masave të reja shkaktoi një shpërthim pakënaqësie nga ana e publikut, gjë që solli disa ditë protestash publike në Serbi, disa prej tyre të dhunshme. Ishte më pak rezultat i masave kufizuese të ndërmarra, sesa pasiguria e krijuar nga izolimet – heqja e kufizimeve e pasuar me rinisjen e masave izoluese. Në veçanti, duke qenë se heqja e masave kufizuese kishte të bënte me mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi si dhe me përpjekjet e Partisë Progresive në pushtet për të projektuar një ndjenjë të rreme fitoreje ndaj COVID-19, manipulimi politik i pandemisë është bërë i qartë tashmë për të gjithë.

Rezultati ka qenë thyerja e mëtejshme e besimit, tashmë të brishtë, midis shtetit dhe shoqërisë, dhe më shumë polarizim.

Polarizimi dhe mosbesimi kanë ndikuar ndjeshëm në pandemi. Një karakteristikë kryesore për të gjitha vendet e rajonit është niveli i lartë i polarizimit midis qeverive dhe opozitës, i cili lë pak hapësirë për një gjuhë të përbashkët.

Pandemia nuk i ka afruar këto përçarje, por thjesht i ka larguar ato më shumë nga njëra-tjetra. Kjo nënkupton se në Mal të Zi, për shembull, Kisha Ortodokse Serbe nuk i ka besuar masat kufizuese ndaj veprimtarive fetare dhe se në Serbi, opozita i ka sfiduar masat e ndërmarra nga qeveria.

Në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi dhe qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti garuan në lidhje me masat që duheshin ndërmarrë dhe, që kur qeveria Kurti u rrëzua, ka pasur një mungesë lidhjeje logjike sa i përket politikave që kanë të bëjnë me pandeminë.

Në Maqedoninë e Veriut, gara ishte e vendosur në një qeveri tranzitore të përbërë nga anëtarë të partisë Social Demokrate në pushtet dhe nacionalistë të opozitës nga VMRO-DPMNE.

Ky rivalitet u pasqyrua nga mënyra se si ministri i shëndetësisë nga radhët e social demokratëve, Venko Filipce, vuri në pah komunikimin e rreziqeve prej pandemisë, ndërsa Nakje Culev, ministri i brendshëm në detyrë nga radhët e VMRO-DPMNE, u përqendrua më shumë te represioni. Në Shqipëri, qeveria shfrytëzoi rrethanat e krijuara nga pandemia për të shembur Teatrin e vjetër Kombëtar, duke ditur që opozita dhe qytetarët do të ishin më pak të aftë të protestonin gjatë pandemisë.

Prandaj, do të ishte gabim të fajësoheshin qytetarët e papërgjegjshëm për shtimin e madh të rasteve me COVID-19 në Ballkanin Perëndimor, ose të fajësohet mentaliteti proverbial i Ballkanit, siç kanë bërë shumë politikanë kryesorë. Sfida në luftimin e pandemisë lind nga një kombinim i masave kufizuese nga lart-poshtë në një kontekst besimi të ulët midis shtetit dhe qytetarëve dhe një niveli të lartë polarizimi./Birn