Kuvendi Kombëtar miraton ndryshimet statutore të PD ndërsa Enkelejd Alibeaj nuk njihet më si kryetar grupi, kësisoj shpallet vakanca për kreun e grupit parlamentar të PD.

Po ashtu u vendos që më 22 Maj të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri. Kuvendi ngarkoi Këshillin Kombëtar për zgjedhjen e kryetarit të ri të grupit parlamentar.

Menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe deri në përfundim të zgjedhjes së Kryesisë së PDSH, drejtimi ekzekutiv i partisë bëhet nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.

Mandati i Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit, përfundon në momentin që zgjidhet Kryesia e PDSH.

Enkelejd Alibeaj shkarkohet nga kreu i grupi parlamentar të PD.

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha tha gjatë një prononcimi të shkurtër për mediat se dita e sotme është e një rëndësie të madhe “pas ditëlindjes së dytë të PD në konstituimin e forumeve të saj si opozitë e vërtetë shqiptare”.

Vendimet e miratuara ne Kuvend që hyjnë në fuqi menjëherë

1-Miratimin në parim të ndryshimeve në Statutin e Partisë Demokratike sipas aneksit bashkëlidhur këtij vendimi.

2- Miratimin nen për nen të ndryshimeve në Statutin e Partisë Demokratike sipas aneksit bashkëlidhur këtij vendimi.

3 – Miratimin në tërësi të ndryshimeve në Statutin e Partisë Demokratike sipas aneksit bashkëlidhur këtij vendimi.

Më 22 maj zgjedhjet

1- Përcaktimin e datës 22 Maj 2022 si dita kur do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

2- Procesi zgjedhor do të zhvillohet njëkohësisht në të gjitha degët e Partisë Demokratike.

3- Ngarkohen Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit dhe Komisioni i organizimit dhe kontrollit të operacioneve elektorale për organizimin, mbikëqyrjen dhe certifikimin e këtij procesi zgjedhor.

Shkarkohet Alibeaj

1- Konstatimin e vakancës së pozicionit të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, për shkak të mungesës së nënkryetarëve të zgjedhur të Partisë.

2- Ngarkohet Këshilli Kombëtar i partisë për zgjedhjen dhe caktimin, së bashku me nënkryetarët, edhe të kryetarit të grupit parlamentar të PDSH.