Një person mbeti i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të shtune në një atentat të ndodhur në qytetin e Shkodrës.

Ngjarja ndodhi pranë një karburanti, në afërsi të Dobraçit. I plagosur nga kjo ngjarje ka mbetur Dedë Planaj, një person i cili nuk rezulton me precedentë penale.

Ai është djali i xhaxhait të Bardhok Planajt, i ekzekutuar një vit më parë në të njëjtën zonë. I plagosuri është dërguar me urgjencë në spital.

Policia informacion paraprak për ngjarjen

Rreth orës 22:10, në lagjen “Dobraç” Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi D.P. 60 vjeç banues në fshatin Shtoj i Vjetër, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër nën kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje – dalje të qytetit dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit/ve.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për identifikimin e autorit/ve zbardhjen dhe sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Kush ishte Bardhok Planaj

Bardhok Planaj 46 vjeç ra pre e një atentati mbrëmjen e së dielës në zonën e Dobraçit në Shkodër. Ai ishte një person i njohur për policinë dhe njihej me nofkën “Kumbari”. Në Dhjetor të vitit 2018, Planaj ishte arrestuar nga Policia e Shkodrës pasi akuzohej për pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe ndërtim pa leje. Ai u akuzua se kishte ndërtuar pa leje një pallat 10-katësh me paratë që dyshohet se buronin nga aktivitete kriminale. Ky objekt i ndërtuar në atë kohë kap vlerën e 2 milionë Eurove. Disa vite më parë ai ka qenë përsëri i arrestuar për trafik droge.

Në vitin 2014, Bardhok Planaj trazoi politikën shqiptare pasi ishte fshehur në makinën e ish-deputetit Mark Frroku. Për t’iu shmangur arrestimit, Planaj ndodhej brenda makinës së ish-deputetit. Sipas raporteve policore në atë kohë, thuhej se i dyshuari mbahej nën përgjim dhe kishte lëvizur nga lokal “Antika” në Tiranë drejt Laprakës me automjetin Audi në pronësi të deputetit. Pllanaj u hetua edhe si pjesë e grupit të të arrestuarve në kuadër të operacionit “Laguna e Vilunit”. Ndaj tij u nxorr edhe një urdhër arresti, por më pas u shpall i pafajshëm për shkak të mungesës së provave.