Gjykata e Dibrës shtyu të enjten seancën e gjykimit për dy të pandehur, që janë nën akuzë si pjesë e skemës së manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2016 në Dibër. Shtyrja e seancës u mor për shkak të mungesës së avokatëve të të pandehurve.

Në seancën e së enjtes ishin të pranishëm dy prej të akuzuarve nga prokuroria, ish-drejtori i Zyrës Arsimore Drini Gjeci, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre.

Hasan Hoti, ish-Administrator i Lurës akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe ish-shefi i Komisariatit të Dibrës, Robert Aga, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre” kanë kërkuar gjykim të thelluar dhe po gjykohen në një proces të dytë, seanca për të cilin është në 26 korrik.

Gjyqtari Ardit Kuka, ndryshe nga herët e tjera vendosi që seanca të zhvillohej me dyer të hapura. Kuka në një seancë të mëparshme pati nxjerrë nga salla gazetarët me arsyetimin për respektimin e masave anti-Covid. Në seancën e të enjtes gjyqtari tha se duke parë vëmendjen publike të madhe për çështjen, gazetarët do të lejoheshin.

Avokatët e të pandehurve kishin sjellë në rrugë elektronike në Gjykatën e Dibrës arsyetimin e mungesës në seancë për arsye shëndetësore dhe mbingarkesë të çështjeve që do të duhej të merrnin pjesë në gjykatat e Tiranës. Prokurori i çështjes, Urim Buci ishte dakord që gjyqi të shtyhej në mungesë të avokatëve.

Avokati Indrit Sefa, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në një bisedë telefonike, i tha BIRN se një shtyrje e tillë e seancave si pasojë e mungesës së avokatëve bëhet me qëllimin që kjo çështje të jetë sa më larg vëmendjes së opinionit publik. “Nga vonesa nuk fitojnë nga ana procedurale. Sa më shumë të bjeri jehona aq me kollaj për palët për të përfituar”, tha Sefa. Ai tha se dosja ishte copëtuar qëllimisht për ta bërë më të parëndësishme.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë u dërgua në gjykatë në fund të vitit që shkoi, ndërsa më 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim. Dosja 184 që solli debate të shumta në skenën politike në vend u mbajt për një kohë të gjatë në sirtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe më pas ndërroi disa herë duar prokurorësh duke e kthyer në një ping-pong mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Dibrës për çështje të kompetencës. Seanca e radhës do të jetë më 8 shtator 2021 në orën 12.