– Skicë –

Nga Bashkim KOÇI

Mynever Shuteriqi në qershor të këtij viti mbush 100 vjeç. Dhe në këtë jetë shekullore ajo ka qenë dhe mbetet qëndrestare ndaj të shkuarës, ndaj atyre gjërave që nuk mund të harrohen kurrë. Tek çka “nuk harrohen kurrë” për Myneverin janë vitet e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, vitet që i dhanë më shumë emocione jo vetëm së lidhen me moshën e bukur të rinisë, por sepse ishte dhe mbetet periudha që e bëri atë dhe të gjithë rininë shqiptare pjesëmarrëse në luftë e sesi të ndjehej krenare përpara vendit, përpara Atdheut të vet. Ja, ata vite të luftës, ngjarjet që lidhen me të, me shokët dhe shoqet luftëtarë, e në veçanti me këngët partizane, mbeten të freskëta në mendje e në zemër të Mynever Shuteriqit.
Veterania e LANÇ, Myneveri, ka disa muaj që është mbërthyer në shtrat. Më shumë nga pleqëria sesa nga sëmundja. Them nga pleqëria sepse Asaj, nëse nuk i punojnë këmbët, zemrën e ka në punë me kapacitet të plotë. Dhe siç e dimë të gjithë, gjërat e rëndësishme, nëse janë të padukshme për sytë, shihen veç me zemër.
U gjenda këto ditë pranë Myneverit, e cila edhe pse në shtrat pret e përcjell miq e dashamirës, të kohës së luftës dhe nga më të rinjtë që kujdesen për të si veterane e LANÇ. Unë u gjenda aty me Anilën, motër dëshmori, por edhe veprimtare e shquar si pasardhëse veterani, bija e Sterjo Gjokorecit. Myneveri, më tha Anila, edhe pse siç e sheh këtu në shtrat, këndon këngë partizane. Dhe Anila kishte qenë aty një ditë më parë bashkë me veteranin, Kryetarin i OVP të LANÇ Prof. Dr. Hulusi Hako, dhe të tre bashkë, pra edhe Myneveri, kishin kënduar këngë partizane, këngët më të preferuara të saj “Bashkou o shokë më ne në çetë” dhe “Malet me blerim mbuluar”. Edhe ditën që u ndodha aty, pranë shtratit të saj, pasi Anila i bëlbëzoi në vesh “hë nëna, do të këndojmë bashkë?”, filloi të këndonte këngën “Rini, rini!”
Nganjëherë nuk mjafton një çast për t’u rikthyer në vite të shkuara, në vitet e largëta të rinisë. Këtë e pashë me sytë e mi, aty pranë, tek qëndronte në shtrat veterania Mynever Shuteriqi. Ajo, bashkë me Anilën, filluan të këndojnë atë këngën në moshën 80 vjeçare, “Rini, rini”. Di se asgjë nuk i hap sytë e kujtesës më mirë se një këngë. Nga ç’është bërë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, asgjë nuk është tretur, sepse çdo gjë ka mbetur në këngë e poezi.
Dhe këtë e pashë konkretisht, e pashë aty te veterania, e cila nuk dëshiron të largohet nga kjo botë pa i kënduar këngët e saja të brendshme, këngën partizane.