Ndërkohë që opinioni publik perëndimor po përgatitet psikologjikisht për një luftë të re në Europë, me epiqendër Ukrainën, në Moskë ngjarjet e javëve të fundit shihen në mënyrë të kundërt. “Jemi të shokuar nga retorika e mediave perëndimore. Në Moskë askush nuk flet për luftë. Një ndërhyrje ushtarake do të ishte shumë e çuditshme”.

Është i bindur për këtë  politologu Fyodor Lukyanov, drejtor i Russia in Foregn Affairs dhe një nga zërat më të dëgjuara në Kremlin. “E gjithë bota po pret që Putin të urdhërojë sulmin, por ideja që ai t’ i japë të drejtë pritshmërive të tyre, është diçka që nuk ngjan me veprimet e presidentit rus”, thotë ai, i intervistuar në mediat italiane.

Më shumë se 130 mijë ushtarë ndodhen në kufijtë me Ukrainën, por për politologun kjo nuk përbën detyrimisht paradhomën e një konflikti. “Nuk ka dyshim që Rusia po ndërmerr një fushatë presioni diplomatik të shoqëruar nga forca e armëve. Por nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën”, thotë politologu rus.

“Kemi stërvitje në Baltik, në Bjellorusi dhe në Detin e Zi. Kemi të bëjmë me një objektiv më të madh për Putin, jo thjesht pushtimi i një vendi. Moska do të tregojë që tej e tutje duhet të merret seriozisht, duke propozuar një kuadër të ri sigurie në kontinent. Qysh nga vitet ’90, Rusia nuk ka qenë e kënaqur me këtë sistem, që sipas saj është i padrejtë. Mesazhi është i qartë për Perëndimin, “në qoftë se mendoni se mund ti shkruani vetë rregullat e sigurisë në këtë pjesë të botës, gaboheni, sepse Moska është superiore ushtarakisht”. Për këtë arsye, mendoj se një luftë e hapur është pothuajse e pamundur. Putin mund të jetë gjithçka, por nuk është një lojtar bixhozi. Ai analizon çdo gjë, dhe vepron vetëm kur mendon se ka sigurinë e duhur”, përfundoi politologu rus.