Kremlini ka reaguar menjëherë pas deklaratave të Biden, i cili tha këtë të enjte se ka ndjesinë që sulmi rus në Ukrainë do të ndodhë brenda pak ditëve.

Në një reagim të shpejtë, Rusia ka thënë se këto deklarata nga Amerika shërbejnë vetëm për të rritur më tej tensionet me palëve.

Më herët sot, presidenti amerikan Joe Biden tha se rreziku i pushtimit të Ukrainës nga Rusia në ditët në vijim është “shumë i lartë”.

“Ndjesia ime është se do të ndodhë në ditët e ardhshme”, tha Biden për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë të enjten.

Presidenti tha gjithashtu se nuk ka në plan të flasë me Presidentin rus, Vladimir Putin, por tha se ka ende “një rrugë të qartë diplomatike” për të shmangur konfliktin.

Sa i përket raportimeve për bombardime në lindje të Ukrainës, Biden tha për Rusinë: “Kemi arsye të besojmë se ata janë të angazhuar në një operacion inskenimi, për të justifikuar sulmin”.

Edhe NATO këmbëngul: Rusia po sajon pretekst për pushtimin e Ukrainës

Jo vetëm presidenti amerikan Joe Biden, por edhe NATO është e bindur se Rusia do ta pushtojë Ukrainën.

Sipas NATO-, Rusia po sajon një pretekst për pushtimin e Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg tha pas takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s se ende nuk ka parë një tërheqje të trupave ruse përreth Ukrainës, ndërsa nënvizoi se Moska i ka ende kapacitetet për një pushtim të plotë.

“Ne jemi të shqetësuar se Rusia po përpiqet të sajojë një pretekst për një sulm të armatosur kundër Ukrainës, por ende nuk ka qartësi lidhur me synimet e Rusisë. Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, por ajo që dimë është se Rusia ka grumbulluar forcën më të madhe në dekada që ne kemi parë në Europë dhe përreth Ukrainës. Ne i kemi parë përpjekjet për të sajuar një pretekst, me operacione false për nxjerrë një justifikim për pushtimin e Ukrainës. Ata kanë trupa mjaftueshëm dhe aftësi për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës në shumë pak kohë dhe pa paralajmërim. Kjo e bën situatën kaq të rrezikshme”, tha sekretari Stoltenberg.