Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka kujtuar një përvjetor, atë të Lekut, parasë shqiptare, duke ofruar dhe një detaj interesant të origjinë së emërtimit.

“Leku” kartëmonedha jonë kombëtare feston ditëlindjen e saj njëshekullore.

Në shkurt 1922 u bë për herë të parë në mënyrë ligjore emërtimi i monedhës zyrtare shqiptare Lekë.

Ajo që ndodhi në Shqipëri në seancën e shkurtit të vitit 1922 në fakt ishte krijimi i një njësie të re monetare, pasi nuk u shfuqizua frangu ar por paralelisht u krijua një njësi e re monetare e emërtuar Lekë.

Situata do të vijonte të ishte e tillë deri në vitin 1947 kur u miratua dekretligji që hoqi nga qarkullimi kartëmonedhat Frang. Në këtë mënyrë, njësia bazë e monedhës në vend do të caktohej Leku.

Ky emërtim thuhet se është bërë në nderim të Aleksandrit apo Lekës së Madh. Sipas bisedimeve parlamentare në 1922 propozimet alternative kanë qenë Skënder ose Shqipe”, shkruan Arkiva, duke rrëzuar versionin se Leku ka lidhje me Leka Zogun.