Ende pa pasur një vendim të zbardhur të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta dhe as argumentet mbi të cilin ai është marrë një sërë opinion shkruesish, të njohur për qëndrimet publike në favor të shumicës parlamentare, kanë sulmuar gjykatën dhe gjyqtarët.

Ish-zëvendës ministri i Mbrojtjes në qeverinë e parë të Edi Ramës, Dritan Hila e cilësoi në një koment të tij Gjykatën Kushtetuese si “Gjykata e skuthave”.

Mero Baze, drejtues i Gazetës Tema, shkroi në Facebook se vendimi kishte vrarë institucionin e presidencës.

Ndërkohë Baton Haxhiu, në portalin në pronësi të tij Albanian Post, i cilësonte anëtarët e Kushtetueses si kriminelë të “shkronjave juridike”. Në tekst ai thotë se vendimi i gjykatës kishte “shkatërruar republikën”. Duke veçuar kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, Haxhiu, pasi shfryn për katastrofën që vinte pas këtij vendimi, kërkon shpjegime nga ambasadorja së SHBA-ve në Tiranë.

“Sot, po përdor pushtetin e gazetarit për t’i drejtuar pyetje Ambasadores Amerikane, Yuri Kim”, shkruan Haxhiu që në tekst shton se “Gjykata Kushtetuese në Shqipëri ka shënuar fundin e të gjithë reformës në drejtësi”.

Por ambasada e SHBA, sulmi ndaj së cilës qe një prej arsyeve pse u kërkua nga shumica socialiste shkarkimi i Metës, mendon shumë më ndryshe. Në një reagim të ndarë në Facebook, ambasada bën të qartë se e shikonte vendimin si arritje e reformës në drejtësi.

“Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila u bë funksionale në dhjetor të vitit 2020, po demonstron aftësinë për të përmbushur funksionin e saj parësor dhe thelbësor duke shqyrtuar faktet dhe argumentet e paraqitura nga palët përkatëse, duke diskutuar mbi këto fakte dhe argumente në bazë të Kushtetutës dhe duke dhënë vendime që pasqyrojnë pavarësi dhe integritet”, thuhet në qëndrim e ambasdës.

Përndryshe nga pretendimi i Haxhiut ambasada garanton se do të vijojë të mbështesë “fuqimisht zbatimin e reformës në drejtësi”.

Reagimet të tjera për vendimin kanë qenë të pakta. I vetmi reagim i drejtpërdrejtë nga shumica socialiste për vendimin ishte ai i kryetarit të grupit parlamentar Taulant Balla. “Nëse do kontrollonim Gjykatën Kushtetuese do ishte shkarkuar Ilir Meta se nuk ka shqiptar dhe shqiptare në këtë vend që nuk bie dakord që ilir meta duhej shkarkuar. Por ka vendosur gjykata, nuk komentohet”, tha Balla gjatë një replike në Kuvend.

Presidenca po ashtu ishte lakonike në reagim. “Kjo çështje as nuk duhej të kishte filluar!”, shkroi zëdhënësi i Metës Tedi Blushi. Por para vendimit presidenca dhe vetë presidenti Ilir Meta u angazhuan në një fushatë kundër anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese pas vendimit për të shpallur si të ligjshme zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Sulme ndaj gjyqtarëve prej politikës apo medias pas vendimeve të rëndësishme janë të zakonshme në Shqipëri. Sulme të ngjashme ndaj tre gjyqtarëve pati edhe pas vendimit për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.